Lidhje

Ish-presidenti Obama paralajmërim kundër ksenofobisë


Ish presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi të enjten në Gjermani kundër rritjes së ksenofobisë dhe nacionalizmit në disa vende të botës.

“Në këtë botë të re ku jetojmë, nuk mund ta izolojmë vetveten. Nuk mund të fshihemi pas mureve”, tha zoti Obama.

Ish presidenti i bëri komentet ndërsa qendronte pranë Kancelares Angela Merkel në një podium përpara Portës së Branderburgut në Berlin në festimet me rastin e 500 vjetorit të Reformës Protestante.

Ish presidenti tha se ai, zonja Merkel dhe disa udhëheqës të tjerë botërorë janë përpjekur, pavarësisht burimeve të kufizuara, që të balancojnë shanset për imigrantët dhe për të përmbushur detyrimet për qytetarët.

“Përpara Zotit, një fëmijë në anën tjetër të kufirit nuk është më pak i denjë për dashuri dhe dhembshuri sesa fëmija im. Nuk mund të dallojmë mes tyre kur flitet për vlerën dhe dinjitetin njerëzor”, - tha zoti Obama, ndërsa mijëra njerëz e miratuan qëndrimin e tij përmes duartrokitjeve.

Duke folur mbi virtytet e hapjes së shoqërisë dhe globalizmit, zoti Obama tha, “Ne duhet të zbrapsim ato prirje që shkelin të drejtat e njeriut, shtypin demokracinë, apo kufizojnë liritë individuale.”

Ish presidenti shprehu shpresë se ai ende të ketë ndikim të mjaftueshëm për të nxitur një gjeneratë të re udhëheqësish të rinj për të dhënë ndihmesën e tyre “për t’i izoluar ata që do të përpiqen të na përçajnë”, u shpreh ai.

Opozita gjermane e kritikoi pjesëmarrjen e zotit Obama në takimin me kancelaren Merkel, si një manovër publiciteti para zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit ku zonja Merkel shpreson të marrë një mandat të katërt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG