Lidhje

Obama në Evropë javën e ardhshme

  • Luis Ramirez

Presidenti Barak Obama niset për në Evropë javën e ardhshme në një vizitë që do të përqëndrohet në veprimet ruse në Ukrainë.

Ndalesa e parë e presidentit Obama do të jetë Polonia, e cila kërkon më shumë garanci nga Shtetet e Bashkuara se sa dërgimi i një kontigjenti të vogël të trupave amerikane që u dilsokuan atje në prill.

Presidenti Obama i ka krahasuar veprimet e Rusisë në Ukrainë me ato të Luftës së Ftohtë, kur tanket sovjetike hynë në Evropën lindore. Sot, tha ai, udhëheqja amerikane është shumë e rëndësishme.

"Aftësia jonë për të formësuar opinionin botëror ka ndihmuar në izolimin e menjëhershëm të Rusisë. Për shkak të udhëheqjes amerikane, bota menjëherë i dënoi veprimet ruse. Evropa dhe grupi G7 u bashkuan me ne për të vendosur sanksione. NATO përforcoi angazhimin tonë ndaj aleatëve tanë në Evropën Lindore".

Por, çështja kryesore është niveli e këtij angazhimi. Polonia muajin e kaluar mirëpriti dislokimin e 150 ushtarëve amerikanë, një numër shumë më i vogël se sa kërkesa e ministrit polak të mbrojtjes për dërgimin e 10 mijë trupave amerikane. Tomasz Siemoniak është ministër i mbrojtjes i Polonisë.

"Ajo që po ndodh në Ukrainë është shqetësuese. Në emër të mbrojtjes së interesave të pa kërcënuara të të drejtave të pakicës, po ndodh një ndërhyrje brutale. Është e vërtetë që ne jemi të shqetësuar nga kjo dhe ne llogarisim në angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar".

Historia ka një rol të madh në mënyrën se si Polonia e sheh Ukrainën, tha për Zërin e Amerikës Christopher Hill, ish- ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Poloni.

"Polakët e kanë kuptuar, dhe ata shpesh e thonë, se Rusia pa Ukrainën është vetëm Rusi, por Rusia me Ukrainën është një rikthim i Bashkimit Sovjetik. Pra, polakët kanë një interes real në suksesin dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës".

Gjatë vizitës së tij në Evropë, Presidenti Obama do të takohet me Presidentin e zgjedhur të Ukrainës.

Presidenti Obama do të shkojë në Bruksel për një takim të udhëheqësve të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në vend të takimit të G8-ës që ishte planifikuar të mbahej në qytetin rus të Soçit para se Rusia të përjashtohej për veprimet e saj në Ukrainë.

Ndalesa e fundit është Normandia, ku presidenti amerikan do të përkujtojë 70 vjetorin fillimit të çlirimit të Evropës nga pushtimi nazist. Edhe Presidenti rus Vladimir Putin do të jetë atje, por nuk është planifikuar ndonjë takim mes dy udhëheqësve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG