Lidhje

Presidenti Obama kërkon forcimin e ligjeve të armëmbajtjes


Presidenti po zhvillon një fushatë dy ditëshe me mesazhin për ligje të reja për t’i prerë rrugën dhunës me armë zjarri

Presidenti Obama po zhvillon një turne dy ditësh në pjesën perëndimore të vendit me mesazhin për forcimin e ligjeve të armëmbajtjes. Fushata për reforma në këtë drejtim mori shkas nga masakra e dhjetorit në një shkollë fillore në Konektikat. Sipas anketave, duket se mbështetja për reforma në këtë fushë ka rënë gjatë muajve të fundit:

Presidenti Obama ishte në Kolorado për të theksuar forcimin e kontrollit të armëmbajtjes. Ligjvënësit në këtë shtet miratuan kohët e fundit disa nga ligjet më të forta në këtë drejtim:

“Ky shtet ka vuajtur dy nga tragjeditë më të rënda me armë zjarri në historinë e vendit, 14 vjet më parë në Kolumbine dhe vjet në Aurora”.

Presidenti foli pranë qytezës Aurora ky 12 vetë gjetën vdekjen në një kinema në korrik.

Në dhjetor, në incidentin e fundit të një vrasjeje masive, 20 fëmijë të klasës së parë dhe gjashtë të rritur u vranë në Konektikat. Që nga ajo kohë, debati për kontrollin e armëve ka vazhduar. Zoti Obama tha se që nga incidenti në Njutaun, mbi 2000 amerikanë janë vrarë nga armë zjarri.

“Çdo ditë që presim për të bërë diçka, bashkëkombas të tjerë humbin jetën nga plumbat”.

Ndërkohë që presidenti mbante fjalim, ligjvënësit në Kolorado përgatiteshin për të miratuar ligje më të forta për kontrollin e armëve, një masë që e ka marrë më parë edhe Nju Jorku.

Por presioni në Kongres për forcimin e ligjeve të armëmbajtjes ka rënë, ndërkohë që Shoqata Kombëtare e Armëve dhe grupe të tjera për të drejtën e armëmbajtjes janë angazhuar në fushatë aktive.

Disa anketa tregojnë se mbështetja për ligje më të forta ka rënë, por ka anketa të tjera që tregojnë se mbështetja mbetet konstante.

Propozimet për kontrollin e biografisë së personave që kërkojnë të blejnë armë gëzojnë përkrahje të gjerë, por kreu i Shoqatës Kombëtare të Armëve e ka cilësuar këtë hap si kërcënim ndaj së drejtës kushtetuese të armëmbajtjes:

"Me këtë ide kanë dalë tani, për kontrollin e biografisë. Ky kontroll nuk mund të gjejë zbatim të përgjithshëm, nuk do t’i bëjë shkollat më të sigurta dhe vetëm do të shërbejë për të krijuar një regjistër të amerikanëve që zotërojnë armë ligjërisht”.

Aktivistja e Partisë Demokrate Margie Omero thotë se pjesa më e madhe e amerikanëve duan forcimin e ligjeve të armëmbajtjes:

“Opinioni publik ka qenë mjaft konstant. Nganjëherë politikanët nuk dinë si të veprojnë kur kanë marrë më parë mbështetje nga lobi i armëve dhe kur ky lob i ka bindur se është në gjendje t’ua shkatërrojë karrierën politike”.

Presidenti mund të sigurojë miratimin e ligjeve më të forta, thotë ajo, nëse ai vazhdon të flasë hapur dhe të mobilizojë mbështetjen e publikut.

XS
SM
MD
LG