Lidhje

SHBA, përpjekje për të penguar dhunën


Presidenti Obama është zotuar të shfrytëzojë të gjitha kompetencat e tij për të mbështetur përpjekjet për të penguar dhunën me armë zjarri.

Zoti Obama tha sot në intervistën për rrjetin NBC se incidenti me armë zjarri dy javë më parë në shkollën fillore në Konektikat që la 20 fëmijë dhe shtatë të rritur të vrarë, ishte dita më e rëndë e presidencës së tij katër vjeçare.

Presidenti tha se do të mobilizojë amerikanët në mbështetje të propozimit të tij për të rritur kontrollet mbi gjendjen psikologjike, mendore, dhe historinë e respektimit të ligjit për personat që kërkojnë të blejnë armë, si dhe të ndalë armët e sulmit dhe karikatorët me kapacitet të lartë plumbash.

Nënpresidenti Joe Biden do të kryesojë një komision për të hartuar projekt-ligje që synojnë t’u presin rrugën vrasjeve masive në Shtetet e Bashkuara, ku të drejtat e qytetarëve për armë-mbajtje janë të sanksionuara në kushtetutë.

Zoti Obama pohoi se rregulloret e reja do të shkaktojnë polemika, por Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin nëse do të pranojnë kufizime më të mëdha, ose ta lënë kujtimin e masakrës së fëmijëve të klasës së parë të fashitet me kalimin e kohës.

XS
SM
MD
LG