Lidhje

SHBA: Vazhdojnë përpjekjet për miratimin e reformës së kujdesit shëndetsor


SHBA: Vazhdojnë përpjekjet për miratimin e reformës së kujdesit shëndetsor
SHBA: Vazhdojnë përpjekjet për miratimin e reformës së kujdesit shëndetsor

Presidenti Barak Obama shkoi dje në shtetin Ihajo, ndërsa ai dhe demokratët në Kongres përgatiten për një votim vendimtar mbi reformën e kujdesit shëndetsor. Gjatë fjalimit që mbajti në Klivland të Ohajos, presidenti nënvizoi urgjencën për miratimin e legjislacionit. Ai u përqëndrua tek një grua, e cila i shkroi atij një letër.

Presidenti Obama shkoi dje në Ohajo me synimin për të bërë të mundur miratimin brënda kësaj jave të projektligjit për reformën në kujdesin shëndetsor.

Ai e vuri theksin tek përvoja e Natoma Kanfield, e prekur nga kanceri, e cila u detyrua të ndalonte sigurimin e shëndetit për shkak të ngritjes së madhe të pagesës mujore.

Zonja Kanfield po i nënshtrohet kimoterapisë në një spital, megjithëse nuk ka sigurime shëndetsore.

Presidenti Obama tha se zonja Kanfield dhe amerikanë të tjerë përballen me vështirësi për shkak të ngritjes së kostos. Presidenti shtoi se amerikanët duhet të kundërshtojnë thirrjet e republikanëve për ta hedhur poshtë reformën e kujdesit shëndetsor.

“Jam këtu sepse njerëzit po shikojnë ngritje të mëdha të pagave për kujdesin shëndetsor me 20, 30 e deri në 60 për qind në vit. Ohajo, jam këtu sepse kjo nuk është Amerika në të cilën unë besoj dhe as Amerika që ju besoni”.

Në tubim, motra e Natoma Kanfieldit, Kani Anderson, foli për të motrën.

“Ne nuk mund të lejojmë që Natoma dhe miliona të tjerë si ajo të harrohen. Le të mos gabojmë, ne kemi nevojë për reformimin e kujdesit shëndetsor dhe kemi nevojë për të tani”.

Në kongresin amerikan, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësusve, Nenci Pelosi synon ta hedhë në votë para fundit të javës projekt-ligjin prej 875 miliardë dollarësh, që senati amerikan e miratoi në dhjetor. Kjo procedurë parlamentare, e përdorur nga demokratët, por që kundërshtohet nga republikanët, ka ngjallur shumë debate, sepse kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë për t’u miratuar nga senati. Senatori republikan Lindsi Graham.

“Nëse demokratët e miratojnë këtë projekt-ligj, ata do ta kenë të vështirë të arrijnë ndonjë gjë tjetër këtë vit ose më pas”.

Republikanët e kundërshtojnë njëzëri reformën e presidentit për kujdesin shëndetsor. Ata thonë se ky projekt-ligj është shumë i shtrenjtë dhe përbën marrjen nën kontroll nga qeveria të kujdesit shëndetsor.
Senatori republikan Scott Brown thotë se amerikanët duan që presidenti të përqëndrohet në krijimin e vendeve të punës në vend të reformës së kujdesit shëndetsor.

“Asnjë tjetër nuk ka devijuar vemendjen dhe energjinë e politikanëve të Uashingtonit se sa ky projekt-ligj shkatërrimtar. Dhe mënyra më e sigurtë për t’i shërbyer popullit është që të dëgjohen shqetësimet e vetë popullit”.

Demokratët mendojnë se do të përballen me kundërshtimin e votuesve në zgjedhjet e nëntorit nëse nuk miratojnë propozimet e presidentit për reformën e kujdesit shëndetsor.

David Akselrod, këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, thotë se demokratët po përparojnë në këtë drejtim.

“Mendoj se projekt-ligji do të hidhet në votë dhe do të miratohet këtë javë. Populli amerikan do që ta dijë se si do të votojnë ligjvënësit në Uashington”.

Por tani për tani, shumë amerikanë si Natoma Kanfield do të vazhdojnë të përballen me vështirësi për të paguar për kujdes shëndetsor që mund t’i shpëtojë jetën. (ze)

XS
SM
MD
LG