Lidhje

Debat për vizitën e Presidentit Obama në Hiroshima

  • Cindy Saine

Gjatë turneut në Azi, Presidenti amerikan Barack Obama do të hyjë në histori, si presidenti i parë në detyrë që viziton Hiroshimën, qyteti ku Shtetet e Bashkuara hodhën bombën e pare atomike në kohë lufte. Ende pa shkuar Presidenti në një vend që konsiderohet i shenjtë për shumë njerëz, njoftimi ka shkaktuar një debat të ri për vendimin dhe nëse Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë falje, ose madje edhe nëse një President amerikan duhet ta vizitojë. Presidenti Obama pritet të bëjë një deklaratë nga Hiroshima dhe ka shumë gjasa që do t’i duhet të ecë mbi një fushë simbolike të minuar.

Ishte një moment që pa ekzagjerim mund të thuhet se ndryshoi botën. Rreth 140 mijë vetë vdiqën brenda vitit dhe të mbijetuarit dhe fëmijët e tyre janë përballur me vuajtje të parrëfyeshme për shkak të helmimit nga rrezatimi.

Arsyeja që dhanë Shtetet e Bashkuara për vendimin për hedhjen e bombës atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki, ishte se donin t’i jepnin fund viteve të agresionit japonez, me synimin që të shpëtonim më shumë jetë njerëzish që mund të ishin humbur nga një pushtim amerikan. Por shumë japonezë e shohin ngjarjen shumë ndryshe duke thënë se njerëz të pafajshëm u vunë në shënjestër.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e vizitoi Hiroshimën muajin e kaluar. Ai e quajti përvojën rrëqethëse dhe tha se çdo njeri duhet ta vizitojë atë. Disa ekspertë si Chris Appy, mendojnë se mes tyre duhet të jetë edhe presidenti amerikan.

“Unë isha shumë i kënaqur që ai vendosi të shkojë. Mendoj se thjesht fakti që shkon, është një veprim i rëndësishëm simbolik që shumë japonezë e kanë pritur prej kohësh”.

Por ai mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë falje për sulmet me bombë atomike.

“Jam i zhgënjyer që presidenti nuk duket se do të kërkojë falje. Mendoj se në jetën tonë personale, ne e konsiderojmë kulmin e pjekurisë kur një i rritur merr përgjegjësi për veprimet e veta. Veçanërisht veprime që shkaktojnë vuajtje tek viktimat e pafajshme”.

Të tjerë, si Brian Harding i Qendrës për Përparim Amerikan, nuk mendojnë kështu.

“Presidenti nuk do të kërkojë ndjesë dhe japonezët nuk do ta kërkojnë një gjë të tillë”.

Senatori amerikan dhe veteran i Luftës së Vietnamit, John McCain nuk sheh ndonjë arsye që Presidenti të shkojë.

“Nuk më takon t’i them Presidentit të Shteteve të Bashkura ku të shkojë. Por për çfarë do të shkojë? Në një farë mënyre rizgjohen kujtime të pakëndshme. Por nëse presidenti do të që të shkojë diku, ai është i lirë të bëjë këtë”.

Presidenti do të shoqërohet në Parkun e Kujtesës dhe Paqes nga kryeministri japonez, Shinzo Abe. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se të dy udhëheqësit do ta vënë theksin tek tmerret e luftës dhe nevoja për të punuar drejt një bote pa armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG