Lidhje

Presidenti Obama, darkë shtetërore për Presidentin Hollande


Presidenti i Francës, Fraçois Hollande shkon sot në qendrën teknologjike të Shteteve të Bashkuara, për të joshur më shumë investime amerikane në Francë. Ai u nis për në shtetin perëndimor të Kalifornisë, në zonën e quajtur Silicon Valley.

Ai do të takohet me kryebashkiakun e San Franciscos dhe do të jetë për drekë me udhëheqësit amerikanë të biznesit , duke përfshirë përfaqësues të firmave Facebook dhe Google.

Dje, gjatë një konference për shtyp, zoti Hollandë iu shmang komenteve të një gazetari francez se taksat e larta që zbaton Franca i pengojnë investimet e huaja.

Po dje, Presidenti amerikan Barak Obama dha mbrëmë një darkë shtetërore për nder të Presidentit Hollande, ku morën pjesë shumë udhëheqës biznesi, donatorë politikë, dhe njerëz të famshëm të Hollivudit.

Zoti Obama dhe zonja e parë Michelle Obama pritën mbëmë zotin Hollande në Shtëpinë e Bardhë, ku në një tendë të nxehur në natyrë morën pjesë mbi 350 njerëz.

Zoti Obama vlerësoi zotin Hollande për "udhëheqjen e tij parimore" në skenën botërore, siç u shpreh ai, dhe kujtoi se miqësia e vjetër midis dy vendeve e ka zanafillën që tek lufta amerikane për t'u çliruar nga sundimi britanik më shumë se 200 vjet më parë.

"Për mikun dhe partnerin tonë Presidentin Hollande, për të gjithë miqtë tanë nga Franca që janë sonte këtu! Vive la France! Zoti e bekoftë Amerikën, dhe jetë të gjatë aleancës mes vendeve tona," uroi Presidenti Obama në dollinë e tij.

Duke folur në gjuhën e tij, zoti Hollande tha se Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë "dy kombe të mëdhenj" që ndajnë të njëjtin vizion për botën.

"Ajo që pritet prej tyre është të mbajnë një premtim, premtimin e lirisë dhe të progresit, është të mbajnë gjallë një ëndërr - të njëjtën ëndërr që kishin Jeffersoni, Washingtoni, Lafayette dhe revolucionarët francezë - ëndrra për të të ndryshuar botën. Duke bashkuar forcat dhe talentet tona, ne do të jemi në gjendje të mbajmë gjallë flakën e shpresës," tha Presidenti Hollande.

Z. Hollande, i cili kohët e fundit njoftoi ndarjen me partneren Valerie Trierweiler, ishte ulur në mes të Zotit dhe Zonjës Obama.

Darka shtetërore ishte pika kulmore e dy ditëve takime mes zotit Obama dhe zotit Hollande, i cili arriti në SHBA të hënën, vizita e parë shtetërore kjo e një presidenti francez që nga viti 1996.

Dy udhëheqësit shkuan në Charlottesville të Virginias dhe vizituan Monticellon, rezidencën e shekullit të 18, që ka qenë shtëpia e Thomas Jeffersonit, presidentit të tretë amerikan, hartuesi kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe ambasadori i dytë i Amerikës në Francë mes viteve 1785-1789.

Sot, zoti Hollande shkon në Kaliforni për t'u takuar me udhëheqësit e biznesit në Silicon Valley.
XS
SM
MD
LG