Lidhje

Obama i telefonon Mubarakut dhe i bën thirrje për reforma në Egjipt

  • Dan Robinson

Obama i telefonon Mubarakut dhe i bën thirrje për reforma në Egjipt

Obama i telefonon Mubarakut dhe i bën thirrje për reforma në Egjipt

President Obama i ka bërë thirrje Presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, të marrë masa konkrete për një demokraci më të avancuar dhe reforma ekonomike të vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon se Presidenti foli me zotin Mubarak pasi ky i fundit mbajti një fjalim televiziv drejtuar vendit për të njoftuar se do të vërë në zbatim reforma, por tha se demonstruesit janë pjesë e një komploti për të destabilizuar Egjiptin.

Në deklaratën që bëri mbrëmë nga salla e darkave shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama përsëriti sëpari thirrjen e tij drejtuar autoriteteve egjiptiane që të mos përdorin dhunë dhe i inkurajoi protestuesit që kanë dalë nëpër rrugë të shprehin kërkesat e tyre paqësisht.

Ai tha se populli i Egjiptit ka të drejtën universale të mbledhjes, organizimit dhe fjalës së lirë, të cilat Shtetet e Bashkuara i mbrojë kudo në botë. Zoti Obama përsëriti thirrjen e tij drejtuar autoriteteve egjiptiane të rivendosin shërbimet e Internetit dhe të rrjeteve sociale.

Presidenti amerikan tha se ky moment trazirash duhet kthyer në një moment premtues dhe shpjegoi se çfarë i tha Presidentit Mubarak në bisedën telefonike, pak pas fjalimit të këtij të fundit në televizion.

"Kur Presidenti Mubarak iu drejtua popullit egjiptian sonte, ai u zotua për një demokraci më të mirë dhe për mundësi më të mëdha ekonomike. Unë fola me të menjëherë pas fjalimit të tij dhe i thashë që fjalët e tij të kenë kuptim, ato duhet të shoqërohen me masa dhe veprime konkrete për të bënë në jetë premtimet që ai bëri”.

Presidenti Obama tha se ato që duhen tani janë masat konkrete për avancimin e të drejtave të popullit egjiptian, një dialog i mirëfilltë mes qeverisë dhe qytetarëve, si dhe një rrugë ndryshimesh politike që do të çojë në më shumë liri, mundësi dhe drejtësi në të ardhmen.

Eventualisht, tha zoti Obama, e ardhmja do të përcaktohet nga populli egjiptian, i cili do një qeveri më të drejtë, më të mirë dhe më përgjegjëse, diçka që Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për t’u arritur.

"Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë partner për realizimin e këtyre qëllime të së ardhmes dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me qeverinë egjiptiane dhe popullin e Egjiptit, të të gjitha grupeve, për t’ia arritur këtij qëllimi”.

Presidenti tha gjithashtu se qeveritë nëpër botë e kanë për detyrim t’u përgjigjen qytetarëve të tyre dhe ai iu referua fjalimit që mbajti në Kajro në fillim të programit të tij për marrëdhënie më të mira me botën myslimane, pak pas zgjedhjes së tij president.

"Kam thënë se qeveritë duhet ta mbajnë pushtet nëpërmjet mbështetjes së popullit dhe jo me forcë. Ky është i vetmi standard, në bazë të të cilit populli i Egjiptit do të ndërtojë të ardhmen që ai meriton”.

Presidenti Obama tha se do të jetë e vështirë në ditët e ardhëshme, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin të drejtat e popullit të Egjiptit për punuat me qeverinë e tyre për një të ardhme më të drejtë, më të mirë dhe më shpresëdhënëse.

XS
SM
MD
LG