Lidhje

Obama: Vëmendja mbi reformat në imigracion


Presidenti Barack Obama bëri dje thirrje për një angazhim të ri dypartiak në përgjigje të sfidave kombëtare dhe sinjalizoi se do t’i bënte presion Kongresit për të miratuar reforma të thella për imigracionin.

Më herët këtë vit Senati miratoi një sistem reformash në politikat amerikane të imigracionit. Projekt-ligji do të forconte kontrollin kufitar dhe do të ofronte një rrugë drejt shtetësisë për miliona imigrantë pa dokumenta.

Por kjo nismë ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve, ku shumë anëtarë e konsiderojnë presionin për legalizim si amnisti për shkelësit e ligjit. Dje Presidenti Obama tha se reforma në imigracion mbetet përparësi:

"Duhet të mbarojmë detyrën e ndreqjes së sistemit defektoz të imigracionit. Shumica e amerikanëve mendojnë se ky është veprimi i duhur. Dokumenti pret miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve”.

Megjithë vëmendjen ditët e fundit mbi përparësitë fiskale, aktivistët kanë vazhduar përpjekjet për të siguruar mbështetje publike dhe për presion mbi ligjvënësit. Nëse ligjvënësit duan të arrijnë sukses ata duhet të veprojnë brenda këtij viti, pasi tradicionalisht ligjvënësit ngurojnë të votojnë për tema të nxehta politike në vit zgjedhjesh. Zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pjesë të Senatit zhvillohen vitin e ardhshëm. Aktivisti pro reformave Frank Sharry thotë se koha është shumë e rëndësishme.

"Mendoj se do të jetë me rëndësi kritike që Dhoma e Përfaqësuesve të fillojë ta shqyrtojë këtë çështje, ta hedhë në votë. Mendoj se është e rëndësishme që të veprohet këtë vit”.

Zoti Sharry shton se mbetet kohë e mjaftueshme deri në dhjetor, nëse ligjvënësit duan ta realizojnë këtë reformë.

Kundërshtarët e projektligjit të Senatit thonë se do të ballafaqohet me rezistencë të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve. Kreu i Qendrës për Studime mbi Imigracionin me seli në Uashington, Mark Krikorian, thotë se ligjvënësit mund të shqyrtojnë një propozim që nuk ofron shtetësi për personat pa dokumenta të rregullta:

"Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve mund të jenë dakord t’u japin këtyre individëve viza pune, që i shndërrojnë ata në persona me dokumenta të ligjshëm, por pa të drejtën e shtetësisë”.

Aktivistët pro reformave, përfshirë Presidentin Obama, kanë kundërshtuar idenë e çdo propozimi që nuk përfshin rrugën drejt shtetësisë. Presidenti tha dje se projekt-ligji i Dhomës së Përfaqësuesve mund të ndryshojë nga ai i Senatit, por mjafton të fillojnë negociatat.

Pas komenteve të Presidentit, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve nxorën një deklaratë ku bënin thirrje për veprim. Por analisti Mark Krikorian thotë se republikanët e Dhomës kanë vizion tjetër për reformat në imigracion nga ato të demokratëve dhe konsensusi mund të jetë i vështirë.

Nëse nuk realizohen reformat në imigracion këtë vit, analistët thonë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Kongres do të përcaktojnë fatin e reformave në 2015.
XS
SM
MD
LG