Lidhje

Një imitues i Obamës jep shfaqje në Uashington


Në disa vende, njerëzit mund të futen në burg për imitimin e udhëheqësve politikë. Por në vendet ku mbrohet liria e fjalës mund të shohësh njerëz që i imitojnë politikanët në ambjente publike ose në shfaqje televizive. Në zonën e Uashingtonit, një burrë i cili i ngjan shumë presidentit Obama zbavit njerëzit nëpër konferenca ose ngjarje të tjera duke u paraqitur si presidenti Obama. Deborah Block e Zërit të Amerikës ka qenë e pranishme në një prej shfaqjeve të tij:

Presidenti Obama ka ardhur në këtë hotel në Arlington të Virginias për të foluar në një takim vjetor të grupeve ambjentaliste. Por , në fakt ai nuk është presidenti Obama! Është Larry Graves, që i ngjan shumë atij. Mike Farrell thotë se ai nuk po u besonte syve kur Larry Graves hyri në dhomë.

“Është e pabesueshme se sa shumë i ngjan presidentit- mënyra se si flet, si ecën, flokët, pra e gjithë kjo që shohim”.

Ajo që shihet janë dy persona që interpretojnë agjentët e Shërbimit Sekret që mbrojnë personin që i ngjan Obamës. Matt Baldwin ka qenë në krah të Larry Gravesit për pesë vjet.

“Njerëzit vinin tek unë dhe më pyesnin “A është ky presidenti i vërtetë? Unë thjesht bëja humor dhe nuk iu thosha asgjë”.

Shumë njerëz duan të kenë fotografi me Larry Gravesit, mes tyre edhe Eric Goeller një konsulent ambjentalist nga Arizona.

“Unë dërgova fotografinë time me të ngjashmin e zotit Obama në shtëpi dhe mora rreth 25 mesazhe telefonike që më uronin për takimin tim me presidentin”.

Për këta njerëz, kjo është mundësia më e mirë për t’u takuar me presidentin. Sean Fitzgerald foli me Larry Gravesin për çështje të ambjentit.

"Po mendoja se si do të ishte nëse do të flisja me presidentin e vërtetë”.

Larry Graves është i befasuar që njerëzit sillen me të kështu, ndonëse e dinë që ai nuk është presidenti i vërtetë.

“Më duket pak mosbesuese që njerëzit vijnë tek unë me respekt e nderim”.

Larry Graves e nisi karrierën e tij si i ngjashmi i presidentit Obama gjatë fushatës së parë presidenciale. Ky rol plotëson punën e tij si mësues fiskulture zëvëndësues në shkollat fillore.

Këta nxënës nuk e dinë që mësuesi i tyre është i ngjashmi i presidentit Obama dhe po shohin një video nga momenti ku ai interpreton presidentin Obama. Fillimisht ata mendojnë se është presidenti, por zëri i Gravesit e zbulon atë përpara fëmijëve.

“Duket si mësuesi ynë i fiskulturës, por e kam të vështirë ta them sepse ngjan shumë me presidentin Obama”.

“Duket se kam mësuar prej një mësuesi të famshëm fiskulture”.


Larry Graves përdor grimin për të shtuar ngjashmërinë me presidentin. Ai errëson vetullat, thekson ngjyrën e buzëve, dhe shton nishanin e presidentit Obama. Ai ngjyros edhe flokët dhe i mban ato në modelin e presidentit Obama.
Ai thotë se iu desh kohë që të mësonte mënyrën e të folurit të presidentit.

Larry është i lumtur që presidenti Obama fitoi një mandat të dytë, jo vetëm se e admiron atë, por sepse ai mund të vazhdojë të argëtojë njerëzit duke imituar presidentin.

“Është e thjeshtë për mua që të vazhdoj kështu, e të zbavis njerëzit kudo ku shkoj”.

Vince Brennan është i kënaqur që presidenti Obama, ose Larry Graves, ndaluan në konferencën ambjentaliste.

“Ishte kënaqësi që të kishim presidentin pjesmarrës në këtë konferencë”.
XS
SM
MD
LG