Lidhje

Obama bën thirrje për kontroll armësh


Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve t’i kërkojnë Kongresit të miratojë ligje praktike për armët. Ai bëri komentet pas ngjarjes së djeshme në shtetin Oregon, ku një person i armatosur vrau 9 persona dhe plagosi shtatë në një kolegj të këtij shteti, para se të vritej edhe vetë nga policia.

"Është zgjedhja jonë politike që lejon ngjarje të tilla të ndodhin një herë në disa muaj në Amerikë. Ne të gjithë jemi përgjegjës për ato familje që humbin të afërmit e tyre për shkak të mosveprimit tonë.”

Presidenti Obama u bëri thirrje votuesve të mbajnë mend se kush i mbështet dhe kush i kundërshton ligjet për armët në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Mbrëmë, njerëzit vendosën qirinj në komunitetin e Roseburgut, ku policia tha se një 26-vjeçar i armatosur hapi zjarr në një nga klasat e kolegjit Umpqua para se ai të vritej gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

"Është çmenduri të mendosh se dikush mund ta bëjë një gjë të tillë, por edhe më i pabesueshëm është fakti se si njerëz si ne që nuk njihemi, sonte mbështesim njëri-tjetrin.”

Ndërkohë, po bëhen të ditura hollësi të tjera për personin që hapi zjarr në klasën plot me studentë të kolegjit në Oregon.

26-vjeçari banonte në një kompleks apartamentesh shumë pranë kolegjit Umpqua në Roseburg.

Një zyrtar i rendit tha se i dyshuari quhej Chris Harper-Mercer dhe se kishte shkruar në një faqe interneti për atë që kishte në plan të bënte.

Policia po merr ndihmë nga autoritetet shtetërore për të kuptuar se cili ishte motivi i vrasjeve masive dhe nëse ato mund të ishin parandaluar.

"Lutjet tona nuk mjaftojnë. Ato nuk arrijnë të rrokin dhimbjen, pikëllimin dhe zemërimin që ne duhet të ndjejmë. Ato nuk ndihmojnë për të parandaluar që një masakër e ngjashme të ndodhë diku tjetër në Amerikë."

Një nga të mbijetuarit u tha gazetarëve se personi i armatosur kërkoi të dinte fenë e secilit prej studentëve në klasë para se të qëllonte.

Megjithatë hetuesit besojnë se ky ishte një rast i terrorizmit të brendshëm pa lidhje me ndonjë grup të huaj.

XS
SM
MD
LG