Lidhje

Presidenti Obama dhe marrëveshja me Iranin


Gjatë një fjalimi që do të mbajë sot në Uashington, Presidenti Barak Obama pritet ta cilësojë votimin e ardhshëm në Kongres të marrëveshjes ndërkombëtare mbi programin e bërthamor të Iranit si "debatin më të rëndësishëm të politikës së jashtme që nga vendimi për luftën në Irak". Presidenti Obama mban sot një fjalim në Universitetin Amerikan në Uashington, si pjesë e përpjekjeve të tij intensive për të bindur ligjvënësit që ta miratojnë marrëveshjen, e cila u arrit muajin e kaluar, pas disa vite negociatash.

Presidenti Obama do të verë në dukje sesi të njëjtët njerëz që sot e kundërshtojnë marrëveshjen me Iranin mbështetën në vitin 2002 vendimin për të ndërhyrë në Irak, vendim i cili me kalimin e kohës humbi mbështetjen e popullit amerikan.

Presidenti Obama pritet ta cilësojë refuzimin e marrëveshjes me Teheranin si një "gabim historik dhe një humbje të shansit" për t’i prerë rrugën Iranit drejt prodhimit të bombës bërthamore.

Jo pa qëllim Presidenti Obama po e mban fjalimin në Universitetin Amerikan. Kjo i ofron atij një kontekst historik me përpjekjet diplomatike të paraardhësit të tij, John Kennedy. Gjatë një fjalimi në vitin 1963 në Universitetin Amerikan, Presidenti Kenedi bëri thirrje historike për diplomaci me Bashkimi Sovjetik si rruga drejt çarmatimit bërthamor.

Fjalimi i Presidentit Obama vjen në një kohë kur anketat e reja tregojnë rënie të mbështetjes së publikut për marrëveshjen, dhe skepticizëm të gjerë në mesin e amerikanëve lidhur me qëllimet dhe gatishmërinë e Iranit për respektimin e marrëveshjes. Sipas një sondazhi kombëtar të Universitetit Quinnipiac të publikuar të hënën, votuesit amerikanë e kundërshtojnë marrëveshjen me Iranin në raportin 2-1, me mbështetjen e vakët të vetëm demokratëve dhe kundërshtimin nga shumica e republikanëve dhe votuesit e pavarur.

Përpjekjet lobuese

Presidenti Obama dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës kanë nisur një përpjekje masive për të bindur ligjvënësit skeptikë për të votuar marrëveshjen e arritur mes Iranit dhe grupit të gjashtë vendeve që përbehet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina. Marrëveshja kufizon përpjekjet bërthamore të Iranit, dhe lejon inspektimin e objekteve të tij bërthamore, në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare që kanë paralizuar ekonominë e vendit.

Tre senatorë të njohur amerikanë, Tim Kaine, Barbara Boxer dhe Bill Nelson, të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike të Presidentit Obama, këtë javë e kanë mbështetur publikisht presidentin.

Por Steve Israel, Nita Lowey dhe Ted Deutch, tre anëtarë të njohur demokrat të Dhomës së Përfaqësuesve nga komuniteti hebrenj, kanë njoftuar kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG