Lidhje

Obama: Pagesa për Iranin nuk lidhej me pengjet


Presidenti amerikan Barack Obama mohoi se shuma prej 400 milionë dollarësh që iu pagua Iranit me para në dorë, në të njëjtën ditë me lirimin e katër pengjeve amerikane nga Teherani, ishte pjesë e një marrëveshjeje të fshehtë mes dy palëve. Presidenti tha se vendimi për transferimin e parave u bë i ditur në muajin janar, një ditë pasi filloi zbatimi i marrëveshjes bërthamore të Shteteve të Bashkuara me Iranin. Disa republikanë shfaqën mosbesim dhe akuzuan administratën se pagesa ishte bërë si shpërblim për lirimin e pengjeve.

Duke folur dje në një konferencë shtypi, Presidenti Obama tha se transferimi i fondeve nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshjeje për lirimin e pengjeve amerikane dhe se qeveria u tregua plotësisht e hapur në këtë çështje.

Gazeta Wall Street Journal njoftoi të martën se pagesa ishte bërë me para në dorë, jo në dollarë dhe se paratë ishin dërguar me një avion pa shenja dalluese.

Sipas Presidentit Obama, ky ishte informacioni i vetëm i ri që nuk ishte bërë i ditur. Ai tha se kishte një arsye se përse pagesa ishte bërë me para në dorë:

"Arsyeja se përse duhet t’i paguanim ata me para në dorë ishte se ne jemi shumë të rreptë në zbatimin e sanksioneve. Ne nuk kemi marrëdhënie bankare me Iranin, pra nuk mund t’u dërgonim atyre një çek dhe as mund të bënim një transfertë elektronike.”

Paratë që iu paguan Iranit ishin euro, franga zvicerane dhe monedha të tjera. Ato u futën në arka prej druri dhe u ngarkuan në një avion mallrash. Ky ishte kësti i parë i një marrëveshjeje për pagimin e 1.7 miliardë dollarëve, që rridhte nga pakti i dështuar i armëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në vitin 1979, pikërisht përpara përmbysjes së monarkut të fundit iranian, Shah Reza Pahlavit.

Pas pagesës së muajit janar, Irani liroi katër pengjet amerikane, duke përfshirë gazetarin e Washington Postit në Teheran, Jason Rezaian. Zyrtarët amerikanë thonë se pagesa kishte të bënte pjesërisht me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje të vjetër për blerje armësh. Por sipas kritikëve, pagesa u bë si shpërblim për lirimin e pengjeve.

Kandidati republikan për president, Donald Trump, akuzoi rivalen demokrate, Hillary Clinton, si bashkëfajtore.

"Sekretarja jonë e paaftë e Shtetit, Hillary Clinton, ishte ajo që filloi bisedimet për t'i dhënë Iranit 400 milionë dollarë. Është një skandal," shkruante zoti Trump në Twitter.

Kandidati republikan për zëvendës president Mike Pence tha gjithashtu në Twitter se "400 milion dollarë shpërblim që i dhamë Iranit dhe që do të përdoren për të nxitur terrorizmin mund t’i kishim dhënë për 8 mijë bursa në favor të të rinjve të varfër."

Gjatë një vizite në Argjentinë të enjten, sekretari Kerry e mbrojti vendimin e administratës.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk paguajnë shpërblim dhe nuk negociojnë pagesa për pengjet", tha zoti Kerry. "Kjo nuk është politika jonë.”

Gjithashtu, -tha ai, - kjo histori nuk është e re, por u njoftua nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara që në kohën kur ky transaksion dhe marrëveshja bërthamore ishin duke u përgatitur.

XS
SM
MD
LG