Lidhje

Obama: Operacioni në Irak do të vazhdojë


Ushtria amerikane thotë se ka kryer katër sulme të tjera ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik, që po qëllonin ndaj civilëve në Irakun verior. Komanda Qendrore amerikane tha se në sulmet e së shtunës u përdorën avionë luftarakë dhe avionë pa pilot, që patën si objektiv automjete të blinduara dhe një kamion. Komanda amerikane tha se sulmet pranë Siniarit ishin të suksesshme. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se Presidenti Obama dhe kryeministri britanik David Cameron ranë dakord të marrin masa për sigurinë e civilëve, ndërsa me presidentin francez François Hollande biseduan mbi një përgjigje urgjente, të koordinuar ndërkombëtare për krizën humanitare të krijuar në Irak. Ata po ashtu ishin të një mendimi se duhet të bashkëpunojnë për një strategji më afatgjatë për t'iu kundërvënë grupit Shteti Islamik. Ndërkohë, Presidenti Barack Obama tha se sulmet ajrore dhe operacionet me ndihma humanitare që Shtetet e Bashkuara kanë filluar në Iraq do të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Luis Ramirez:

Presidenti Obama i tha gazetarëve se fushata për neutralizimin e forcave militante në Iraq dhe shpëtimin e mijëra refugjatëve të kërcënuar nga elementët islamikë do të marrë kohë:

"Nuk besoj se do të mund ta zgjidhim këtë problem brenda disa javësh."

Presidenti tha se avionët luftarakë amerikanë kanë hedhur bomba mbi luftëtarët e grupit ekstremist Shteti Islamik, duke shkatërruar armatimet dhe pajisjet e tyre, në përpjekje për të ndalur avancimin e islamikëve në Irbil, qyteti më i madh në Irakun verior, që është edhe kryeqytet i rajonit kurd.

Në një tjetër operacion, avionë të ushtrisë amerikane po ashtu i kanë hedhur ushqime dhe ujë kurdëve të sektit Yazidi të bllokuar në perëndim të Irbilit, në Malin Sinjar, të rrethuar nga militantët që kanë kërcënuar se do t'i zhdukin ata.

Presidenti tha se avionët amerikanë janë pozicionuar që t'i godasin militantët përreth malit, për të thyer rrethimin e tyre dhe për të shpëtuar civilët e zhvendosur, të cilët janë bllokuar atje.

Por, thotë zoti Obama, krijimi i një kalimi të sigurtë për mijëra refugjatët dhe pastaj sistemimi i tyre do të jetë një proces i gjatë.

Zoti Obama la të kuptohet se avancimi i luftëtarëve të Shtetit Islamik në mbarë Irakun verior, ishte diçka e papritur:

"Nuk ka dyshim, që avancimi i tyre gjatë muajve të fundit, ka qenë më i shpejtë se sa e kishin parashikuar burimet tona të zbulimit si edhe formuluesit e politikave si brenda, edhe jashtë Irakut." - tha Presidenti.

Presidenti amerikan po ndeshet me shqetësime brenda vendit, se sulmet ajrore mund të sinjalizojnë një konflikt tjetër, të cilin shumë amerikanë e kundërshtojnë.

Zoti Obama ka përsëritur se ai nuk do të urdhërojë dërgimin përsëri të trupave amerikane në Irak, por ai shton se edhe përpjekja për ta stabilizuar vendin nuk ka për të qenë diçka e shpejtë dhe e thjeshtë:

"Do të ishte një gabim i madh për ne, të mendojmë se mund të shkojmë përsëri në Irak, duke filluar nga e para, pa bërë disa ndryshime thelbësore në qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj fraksioneve të ndryshme atje. Prandaj është kaq e rëndësishme të kemi një qeveri irakiane, e cila të marrë përgjegjësinë për ato që ndodhin, të cilën ne të mund ta ndihmojmë, me të cilën mund të bashkëpunojmë dhe e cila të ketë kapacitetin të krijojë aleanca në rajon," - tha Presidenti.

Presidenti Obama thotë se me t'u vendosur një qeveri gjithëpërfshirëse, do të jetë më e lehtë për të mobilizuar irakianët kundër militantëve, por në fund të fundit, duhet të jenë vetë irakianët dhe jo trupat amerikane, ata që do të zgjidhin krizën në vend.

XS
SM
MD
LG