Lidhje

Presidenti Obama, me një plan për të luftuar Shtetin Islamik

  • Aru Pande

Presidenti amerikan Barack Obama tha se do të parashtrojë këtë javë planin për të përballuar kërcënimin që përbëjnë militantët e Shtetit Islamik. Zoti Obama tha në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC se do të takohet me udhëheqësit e Kongresit të martën për të diskutuar mbi këtë çështje. Ai ka në plan të mbajë një fjalim të mërkurën, në prag të përvjetorit të 13-të sulmeve të 11 shtatorit.

Presidenti Obama e bëri të qartë në intervistën e transmetuar të dielën, se SHBA nuk do të veprojnë të vetme, por ato do të jenë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar në sulmet ajrore dhe në mbështetjen për trupat irakiane dhe kurde që luftojnë me militantët e Shtetit Islamik në terren:

"Ne jo vetëm që do t'i kundërvihemi vrullit që ka fituar ISIL-i, por do t'i degradojmë në mënyrë sistematike aftësitë e grupit. Ne do ta kufizojmë territorin që ata kontrollojnë. Dhe në fund, kemi për t'i mundur ata", - tha Presidenti.

Presidenti tha se pas takimit me udhëheqësit e Kongresit të martën, ai do t'i drejtohet drejtpërdrejt publikut amerikan të mërkurën, për t'u siguruar që ata ta kuptojnë natyrën e kërcënimit që përbën Shteti Islamik dhe mënyrën se si SHBA do ta trajtojnë atë.

Zoti Obama përsëriti se Shteti Islamik, ose ISIL, nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara, por në se grupi lejohet të kontrollojë një territor më të madh, të grumbullojë më tepër burime dhe të rekrutojë një numër më të madh luftëtarësh të huaj, ai mund të përbëjë rrezik më të madh me kalimin e kohës.

Presidenti e bëri të qartë se nuk do të njoftojë të mërkurën përfshirjen e trupave tokësore amerikane në luftime në Irak:

"Jo çdo organizatë terroriste rajonale përbën automatikisht kërcënim për ne, që të na duhet të ndërmarrim një ofensivë madhore. Synimi ynë nuk duhet të jetë të mendojmë se mund të pushtojmë çdo vend ku ndodhet një organizatë terroriste."

Plani i zotit Obama për t'iu drejtuar publikut amerikan vjen pasi ai u kritikua, ngaqë i tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 28 gusht, se ai "ende nuk kishte një strategji" për të luftuar me grupin ekstremist në Siri dhe se i kishte kërkuar komandantëve ushtarakë amerikanë t'i propozonin disa opsione të mundshme.

Presidenti i bëri këto komente vetëm disa ditë pasi Shteti Isamik publikoi videon ku paraqitej vrasja me prerje koke e gazetarit amerikan James Foley. Që nga ajo kohë militantët kanë publikuar një tjetër video ku paraqitet prerja e kokës së një gazetari tjetër amerikan, Steven Sotloff.

Zoti Obama tha se në Siri, ku Presidenti Bashar al-Assad ka një legjitimitet të cilit i ka kaluar koha, SHBA do të vazhdojnë të mbështesin opozitën e moderuar në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik, ndërsa njëkohësisht do të nxisin vende me popullsi suni, si Arabia Saudite, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia, t'i shtojnë përpjekjet për të luftuar grupin ekstremist suni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG