Lidhje

Presidenti Obama për vizitë në Izrael


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netaniahu, thanë se janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të parandaluar Iranin të zhvillojë një armë bërthamore. Irani dhe Siria ishten temat kryesore të diskutimeve ditën e parë të turneut katër ditor të Presidentit Obama në Lindjen e Mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na sjell hollësi.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, të dy udhëheqësit thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë dakord se një Iran me armë bërthamore do të ishte kërcënues për Izraelin, rajonin dhe botën.

Zoti Obama tha se ka shumë pak ndryshime mes vlerësimeve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Izraelit për zhvillimin bërthamor të Iranit. Ai tha se zgjidhja diplomatike është e preferueshme dhe me rezultate më afatgjata, por shtoi se respekton të drejtën e Izraelit për të vepruar i pavarur, ndëkohë që Shtetet e Bashkuara i mbajnë të hapura të gjitha opcionet.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të këshillohen ngushtë me Izraelin për hapat e mëtejshme dhe unë e përsëris se të gjitha opcionet janë në tavolinë dhe ne do të bëjmë çfarëdo është e nevojshme ta prandalojmë Iranin të posedojë armët më të rrezikshme në botë”.

Zoti Netaniahu tha se është “absolutisht i bindur” se zoti Obama është i vendosur ta parandalojë Iranit të ketë një armë bërthamore dhe beson se zoti Obama e kupton plotësisht pozitën e Izraelit.

"Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të merren me këtë çështje, po ashtu edhe Izraeli është i angazhuar të merret me të. Ne kemi pika të dobëta të ndryshme dhe aftësi të ndryshme që i kemi parasysh. Por ajo që ne i përmbahemi, dhe mendoj se presidenti është i pari që e bën këtë, është se Izraeli ka të drejtën që të mbrohet në mënyrë të pavarur nga çdo kërcënim, duke përfshirë edhe kërcënimin nga Irani”.

Në diskutimet e tyre, të dy udhëheqësit prekën edhe luftën civile në Siri dhe përdorimin ose transferimin e armëve kimike tek grupet terroriste. Zoti Obama tha se kjo do të ndryshonte strategjinë e veprimit, megjithatë ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po punojnë për të mësuar të gjitha faktet.

"Kur fillon të shikosh armë që mund të shkaktojnë shkatërrime dhe viktima në masë, duke lënë djallin të dalë nga shishja, atëhere ke përballë skena edhe më të tmershme nga ato që kemi parë në Siri, prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë bazuar në këtë informata shtesë”.

Presidenti Obama dhe udhëheqësit izraelitë thonë se janë plotësisht të angazhuar të ringjallin negociatat izraelito-palestineze të paqes për zgjidhjen me dy shtete.

Zoti Obama tha se qëllimi i tij është të sigurojë se Shtetet e Bashkuara mbeten një forcë pozitive për krijimin e mundësive për paqe.

Presidenti Obama takohet me Presidentin e Autoritetit Palestinez sot në Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG