Lidhje

Obama ndërpret pushimet në Havai


Presidenti kthehet në Uashington për të filluar negociatat e vështira me udhëheqësit e Kongresit për të shmangur katastrofën fiskale

Presidenti Barak Obama kthehet në Uashington sot për të filluar negociatat e vështira me udhëheqësit e Kongresit për të shmangur katastrofën fiskale, pra ngritjen e taksave dhe shkurtimin e thellë të shpenzimeve që hynë në fuqi më 1 janar nëse nuk arrihet marrëveshje. Ndërkohë, Uoll Striti po ndjek me durim zhvillimet në Uashington. Të ndjekim për hollësi korrepondentët tanë Dan Robinson dhe Pitër Fedinski.

Presidenti Obama i la në mes pushimet me familjen në Havai për të vlerësuar përparimin e bërë nga ligjvënësit dhe këshilltarët e tij për arrijen e një marrëveshjeje fiskale.

"Që të punojmë për një paketë që parandalon ngritjen e taksave për shtresën e mesme të amerikanëve, për ruajtjen e sigurimeve të papunësisë për dy milionë amerikanë dhe për të krijuar kushtet për rritjen ekonomike dhe uljen e deficitit”.

Presidenti ka thënë se shpreson për mundësinë e realizimit të një pakete të përgjithëshme për pakësimin e deficitit. Por shanset për këtë duken shumë të pakta.

Alternativa më e mundëshme është mbajtja e taksave të ulta për amerikanët me të ardhura prej 250 mijë dollarësh dhe më pak, zgjatja e kompensimeve për amerikanët e papunë dhe një mekanizëm i përkohshëm për të shmangur shkurtimin e shpenzimeve qeveritare me 109 miliardë dollarë.

Çdo paketë e miratuar nga Senati duhet të fitojë mbështetjen e të paktën 26 republikanëve dhe të gjithë 191 demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Kryetari i Dhomës, Xhon Bejnër, u ndesh me rebelimin e republikanëve kundër taksve javën e kaluar, të cilët bllokuan një plan alternativ për ngritjen e taksave për armerikanët me të ardhura një milionë dollarë ose më shumë në vit.

Në një deklaratë që bëri dje, Bejnër tha se varet nga Senati për të vepruar, duke shtuar se “linjat e komunikimit” mbeten të hapura.

Stivën Hes, analist i Institutit Brukings, ka besim se do të arrihet një marrëveshje.

"Diçka do të miratohet. Kongresi ka shumë probleme, por ata nuk do të shkaktojnë recesion, i cili do të ndodhte nëse ata nuk do të arrinin marrëveshje për taksat dhe shkurtimin e thellë të shpenzimeve që do të hynin në fuqi më një janar”.

Një tjetër alternativë është që ligjvënësit të kthehen në janar dhe të prapsojnë ngritjen e taksave duke shtyrë për më vonë shkurtimin e shpenzimeve qeveritare. Atëhere republikanët do të thoshin se votuan vetëm për uljen e taksave.

Pa një marrëveshje ulja e taksave të miratuara nga Kongresi nën presidentin republikan Xhorxh W. Bush, që u shty nga Presidenti Obama përkohësisht në vitin 2010, do të skadojë më 1 janar.

Hes vë në dukje se deri tani tregjet financiare kanë reaguar me shumë qetësi ndërkohë që politikanët po përpiqen të arrijnë marrëveshje.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, amerikanët që ndjekin luftën e pushtetit në Uashington janë më pesimistë për arritjen e një marrëveshjeje.

Sipas një ankete të organizatës Gallup, të bërë para Krishtlindjeve, 50 përqind e amerikanëve besojnë se marrëveshja për të shmangur katastrofën fiskale do të arrihet, një rënie e ndieshme krahasuar me disa javë më parë. 48 përqind e vënë në dyshim arritjen e marrëveshjes.

Ndërkaq, Uoll Striti po i ndjek me vemendje përpjekjet që po bëhen në Uashington për të shmangur ngritjen automatike të taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve duke filluar më një janar.

Statuja e famshme e demit në distriktin financiar të Nju Jorkut është e rrethuar si zakonisht nga turistë dhe kalimtarë të rastit që dalin në fotografi pranë kësaj ikone që simbolizon ngritjen e bursës. Në një zyrë aty pranë, Pitër Kardillo, kryeanalist i tregut për Rockwell Global Capital, thotë se tregu i aksioneve është në ngritje, duke e mbyllur vitin me fitime të mëdha.

Kardillo pret që republikanët dhe demokratët të arrijnë marrëveshje deri më 31 dhjetor ose disa ditë më vonë. Por ai paralajmëron për pasoja serioze nëse ngritja automatike e taksave nuk shmanget.

“Shqetësimi më i madh do të ishte zhytja në recesion, por edhe ulja e vlerësimit të kreditit nga agjencitë përkatëse. Deri tani ato janë në pritje”.

Analistët vënë në dukje se disa investitorë i kanë të qarta pasojat e katastrofës fiskale dhe po shesin aksionet para mbylljes së vitit për të përfituar nga taksat.

Ndërkaq, Rafael Espinal është mes atyre konsumatorëve që shkurtuan shpenzimet e festave këtë vit.

“Mendoj se gjithëkush është i kujdeshëm në shpenzimet e këtij viti, për shkak të recesionit të vitit të kaluar dhe të katastrofës së pritëshme fiskale”.

Majkëll Grejv, një zyrtar i zgjedhjeve në Nju Jork, punon pranë statujës së demit të bursës. Si shumë njerëz në zonë, ai nuk mendon se Shtetet e Bashkuara do të përfundojnë në një katastrofë fiskale, por ai thotë se problemet ekonomike ka një kohë të gjatë që janë ndjerë.

“Mendoj se kjo është diçka e akumuluar prej brezash në shoqërinë amerikane. Ky nuk është problem demokrat, nuk është as problem repbulikan, është problem i shoqërisë dhe kërkesave të saj”.


Por tani që kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati i fundit i katastrofës fiskale, amerikanët presin që republikanët dhe demokratët të arrijnë marrëveshje për shmangien e kësaj mundësie. Pitër Kardillo thotë se “politikanët janë budallenj por jo të marrë” që ta lënë gjendjen të përfundojë në katastrofë.
XS
SM
MD
LG