Lidhje

Obama kërkon mbështetje për marrëveshjen me Iranin


Presidenti Barak Obama dhe kryediplomati tij John Kerry janë duke kërkuar mbështetje për një marrëveshje të përkohshme të arritur kohët e fundit për të ndalur programet bërthamore të Iranit.

Ata po kërkojnë mbështetje gjithashtu ndaj përpjekjeve amerikane që synojnë të sjellin paqen në Lindjen e Mesme. Presidenti dhe Sekretari i Shtetit kërkojnë të bindin kritikët dhe qeverinë izraelite se lëvizjet e fundit diplomatike nuk e rrezikojnë Izraelin.

Presidenti Obama thotë se ai sheh 50 përqind shans ose më pak për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mbi programin bërthamor të Iranit.

Ai kërkoi të siguroj kritikët se një marrëveshje e përkohshme e arritur së fundi do të ndalë Iranin të çojë përpara programin e tij bërthamor për gjashtë muajt e ardhshëm.

"Ajo që ne mund të arrijmë përmes zgjidhjes diplomatike të kësaj situate është në fakt më shumë se sa mund të arrinim me alternativat e tjera që kemi në dispozicion," tha Presidenti.

Në Forumin Saban, zoti Obama tha se marrëveshja do të frenojë pjesët kryesore të programit bërthamor të Iranit.

"Kjo na jep kohë dhe hapësirë për të provuar nëse ata do të ecin ose jo drejt një marrëveshjeje të plotë dhe të përhershme që të na sigurojë se ata nuk do të prodhojnë armë bërthamore," tha Presidenti Obama.

Presidenti i ofroi sigurime qeverisë së Izraelit, i cili ka shprehur dyshime për marrëveshjen me Iranin.

"Ne nuk do të pranojmë asnjë kërcënim ndaj miqve dhe aleatëve tanë në rajon, dhe e kemi bërë këtë krejtësisht e qartë. Angazhimi ynë ndaj sigurisë së Izraelit është i shenjtë, dhe ata e kuptojnë këtë," tha Presidenti.

Sekretari i Shtetit John Kerry tha në të njëjtin forum se diplomacia është mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen bërthamore me Iranin.

"Jam i bindur jashtë çdo dyshimi se Izraeli bëhet më i sigurt në momentin që kjo marrëveshje e parë fillon të zbatohet," tha Sekretari i Shtetit.

Zoti Kerry sapo është kthyer nga bisedimet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Ai tha se SHBA janë të angazhuara të ndihmojnë për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

"Paqja është e mundur sot, sepse ne kemi udhëheqës të guximshëm, të cilët kanë marrë mbi vete rreziqe të mëdha politike për paqe, dhe po afron koha kur ata do të duhet të marrin edhe më shumë rreziqe të tilla," tha zoti Kerry.

Presidenti Obama shprehu optimizëm të ngjashëm për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

"Mendoj se është e mundur, gjatë disa muajve të ardhshëm, për të arritur në një kornizë, që ndonëse nuk zgjidh çdo hollësi, na çon në një pikë ku të gjithë e kuptojnë se është më mirë për të lëvizur përpara se prapa," tha Presidenti Obama.

Zoti Obama tha se administrata e tij ka shpenzuar mjaft kohë për të kuptuar nevojat e sigurisë së Izraelit, si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme me dy shtete.
XS
SM
MD
LG