Lidhje

Obama fillon një javë takimesh me ligjvënësit


Ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara nga të dy partitë po vlerësojnë synimin e Presidentit Barak Obama për të bashkëpunuar me Kongresin, por thonë se vetëm këto përpjekje nuk do të nxisnin veprime të përbashkëka partiake për zgjidhjen e çështjes fiskale të vendit, si dhe çështje të tjera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na sjell hollësi nga Uashingtoni.

Bulevardi Pensilvania që zgjatet nga Kapitoli tek Shtëpia e Bardhë, do të shohë shumë shpesh këtë javë autokolonën presidenciale. Zoti Obama pritet të shkojë tri herë në Kongres për t’u takuar me ligjvënësit, me shpresë se komunikimi i tij personalisht me ligjvënësit të sjellë një dukuri jo të zakontë në Uashington, një përpjekje dy partiake ndaj çështjeve fiskale dhe reformës së imigracionit.

“Po komunikoj me republikanët dhe demokratët në përpjkje për të zgjidhur disa nga ngecjet. Unë ende besoj se ne mund të punojmë sëbashku për të bërë gjëra të mëdha”.

Senatori republikan,Tom Coburn, tha në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC se e përshëndeste nisëm tërheqëse të presidentit.

“Unë e mirëpres me krahë hapur. Mendoj se presidenti është jashtëzakonisht i sinqertë. Mendoj se ai do që të zgjidhen problement e vendit dhe kjo do të ishte në të mirë të tij, dhe natyrisht në të mirë të popullit amerikan, nëse e bën këtë”.

Javën e kaluar, zoti Obama ishte dy herë për darkë me grupe ligjvënësish republikanë, përfshirë Senatorin Robert Portman. Në programin e kanalit televiziv CBS, Face the Nation, Portman tha se nisma e zotit Obama do të shkojë kot, nëse ai nuk i bind ligjvënësit demokratë të mbështesin kufizime të mirëfillta shpenzimesh.

“Të ndërtosh marrëdhënie besimi është një gjë e mirë. Por të them të drejtën, ajo që duhet të bëjë presidenti nuk është vetëm komunikimi me republikanët, por edhe me demokratët. Për të siguruar këtë ai duhet t’i nxisë ata të bëjnë atë që tashmë e dinë që duhet bërë”.

Presidenti u ka bërë thirrje ligjvënësve demokratë të pranojë reforma të vështira politikisht për programet e kushtueshme të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve. Por ai po u bën gjithashtu thirrje republikanëve të pranojnë taksa më të larta mbi të ardhurat si pjesë e një formule për shkurtime të mëdha buxhetore, një argument që u theksua nga kongresisti demokrat, Kris Van Hollen.

“Më në fund, kolegët tanë republikanë duhet të tërhiqen nga pozitat e tyre për mos ngritjen e taksave për të ulur deficitin. Kështu, më shumë diskutime janë të mira, por ne duhet më në fund të bëjmë kompromise sëbashku”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka përgatitur një plan për buxhetin që do të eliminonte deficitin federal prej triliona dollarësh në 10 vjet, hapi i parë për të ulur deficitin kombëtar prej 16 trilionë dollarësh. Ky palan parashikon uljen e deficitit nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve dhe reformave, duke ulur ndërkohë indeksin e taksave federale.

Demokratët thonë se çdo plan për uljen e deficitit që mbështet vetëm në shkurtime do të rëndojë mbi të moshuarit dhe të varfërit.

Presidenti Obama shpreson të ngushtojë divergjencat mes dy partive nëpërmjet takimeve që do të zhvillojë në Kongres.
XS
SM
MD
LG