Lidhje

Presidenti Obama në Kosta Rika


Presidenti amerikan Barak Obama është në Kosta Rika për një takim rajonal, i cili do të përqendrohet tek zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër karteleve të fuqishme të drogës që përdorin Amerikën Qendrore si një ndalesë për drogën e paligjshme të destinuar për në Amerikën e Veriut.

Presidenti Obama mbërriti në aeroportin e San Jose në Kosta Rika dje pasdite, pas një vizite dy-ditore në Meksikë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten Laura Chinchilla, zoti Obama tha Shtetet e Bashkuara kanë akorduar gati 500 milion dollarë për të ndihmuar Kosta Rikën dhe fqinjët e saj për të luftuar dhunën e lidhur me drogën.

"Ne jemi duke ndërprerë kartelet dhe bandat e drogës. Ne po punojmë për forcimin e zbatimit të ligjit dhe të sistemit gjyqësor. Ne po luftojmë elementët që nxisin kriminalistetin dhe po punojmë përmes programeve të parandalimit për rrezikun tek të rinjtë dhe zhvillimin ekonomik për t’u dhënë atyre mundësi dhe shpresë".

Presidenti Obama pranoi se shumë nga pjesa më e madhe e dhunës në rajon vjen nga kërkesa për drogën e paligjshme në Amerikën e Veriut, dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të pakësuar këtë kërkesë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për planet amerikane në Siri, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim para se të grumbullohen të gjitha faktet rreth përdorimit të armëve kimike në luftën dyvjeçare civile në atë vend.

"Në se ka në fakt një përdorim sistematik të armëve kimike brenda Sirisë, dhe ne presim të kemi prova të mëtejshme, absolutisht që do t’a prezantojmë këtë tek komuniteti ndërkobëtar, pasi mendoj se ky nuk është vetëm një problem i Amerikës por një problem botëror. Ka rregulla ndërkombëtare, protokolle dhe etika. Dhe kur vjen puna për armët kimike, e gjithë bota duhet të shqetësohet".

Zoti Obama tha se çdo veprim amerikan në Siri do të varet nga situate në terren dhe në atë që është në interesin e popullit amerikan.
XS
SM
MD
LG