Lidhje

Presidenti Obama pranon emërimin si kandidati demokrat në zgjedhje


Fjalimi i presidentit shënoi përmbylljen e kuvendit demokrat dhe fillimin e fazës më intensive të fushatës zgjedhore

Presidenti Barak Obama pranoi mbrëmë emërimin e partisë së tij si kandidat për president. Ai u tha përkrahësve të tij të përveshin mëngët dhe t’i futen punës gjatë dy muajve të fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale.
Një ndër momentet e paharrueshme për këtë president u shënua mbrëmë, kur doli para sallës së mbushur, pasi u prezantua nga bashkëshortja Michelle Obama.

Presidenti Barack Obama foli për arritjet e tij në politikën e brendshme dhe të jashtme, duke u kujtuar përkrahësve të tij më besnikë se mbylli një luftë dhe eliminoi udhëheqësin e al Kaidës Osama bin Laden.

“Katër vjet më parë, unë premtova të përfundoj luftën në Irak. Këtë e realizuam. Premtova të përqëndrohem tek lufta kundër terroristëve që na sulmuan më 11 shtator. Këtë e realizuam. Por megjithë përparimin që kemi arritur, ende ka sfida. Duhet të ndalim komplote terroriste. Kriza në Evropë duhet të vihet nën kontroll. Angazhimi ynë në mbështetje të sigurisë së Izraelit nuk duhet të lëkundet, por nuk duhet të heqim dorë as nga përpjekjet për paqe”.

Presidenti theksoi dallimin mes tij dhe rivalit republikan.

"Ne luftojmë për të rikthyer vlerat që sollën krijimin e klasës më të madhe të mesme dhe ekonomisë më të fortë në botë”.

Kandidati demokrat përmbylli dje tre ditë entuziaste ku mesazhi kryesor ishte – Obama është udhëheqësi i duhur.

“Kam nënshkruar marrëveshje tregtie që po ndihmojnë kompanitë tona të shesin më shumë mallra për miliona konsumatorë të rinj – mallra që mbajnë vulën krenare – Prodhuar në Amerikë”.

Fjalët e presidentit u zgjuan shpresa të reja delegatëve për zgjedhjet në nëntor.

“Mendoj se ai do të fitojë në shtete të rëndësishme, ndoshta me rezultat të ngushtë, por do të mjaftojë”.

“Jam krejt e bindur që do të fitojë, aq sa kam rezervuar vend në ceremoninë e inaugurimit”.


Delegatët ndoqën nga pallati i sportit, por moti i keq la dhjetëra mijëra të tjerë pa bileta. Ata kishin shpresuar ta ndiqnin kuvendin drejtpërdrejt në stadiumin e hapur të qytetit me 75 mijë vende.

Organizatorët krijuan mundësi për ta ndjekur kuvendin në grupe. Demokratët mobilizuan aktivistët e partisët në një fushatë kundër kandidatit republikan Romney, i cili dje ndodhej në shtetet perëndimore në sulm kundër politikave ekonomike të Presidentit Obama.

"Gjatë katër viteve të fundit Presidenti ka thënë se do të hapë vende pune për amerikanët, por kjo s’u bë realitet”.

Në Sharlot, zoti Obama tha se mbështet klasën e mesme, ndërsa rivali i tij mbështet të pasurit:

“Nëse besoni në një vend ku kujtdo i jepet një shans i drejtë dhe çdokush bën atë që i takon dhe vepron sipas rregullave të drejta, atëherë në nëntor kërkoj që të votoni për mua”.

Tani që kuvendi demokrat ka përfunduar fillon një fazë e re. Aktivistët partiakë kthehen në shtetet e tyre të frymëzuar për të mobilizuar të tjerët. Presidenti fillon fushatën me energji të re duke u përqëndruar fillimisht në tre shtete të rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG