Lidhje

Obama: Zgjidhje problemeve me ligjin e sigurimeve

  • Dan Robinson

Presidenti Barack Obama ka premtuar se do të rregullohen problemet që kanë shoqëruar zbatimin e ligjit të tij të sigurimeve shëndetësore, duke përfshirë problemet teknike në faqen e internetit të cilat kanë zemëruar shumë amerikanë që po përpiqent të regjistrohen për të blerë sigurime shëndetësore.

Që nga fillimi zyrtar i regjistrimit për sigurimet shëndetësore më 1 tetor, faqja e saj qeveritare dhe faqet e internetit për sigurimet shëndetësiore në disa shtete janë përfshirë nga probleme të mëdha programore.

Amerikanët kanë afat deri në mars të vitit të ardhshëm për t’u regjistruar për sigurimet shëndetësore ose do të përballen me një gjobë financiare. Shtëpia e Bardhë ka fajësuar kërkesat e shumta për ngadalësimin e sistemeve në internet.

Por, mes kritikave në rritje, administrata ka kërkuar tashmë ndihmë nga industria e teknologjisë informative për të rregulluar ato që ekspertët thonë se janë më shumë se sa thjeshtë probleme të vogla programore. Ekspertët thonë se faqja e ligjit të sigurimeve shëndetësore ka disa difekte serioze të projektimit të sistemit.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama, i shoqëruar nga dhjetëra njerëz të cilët pritet të mbulohen ose tashmë kanë përfituar nga ligji për sigurimet shëndetësore, tha se ai është i përkushtuar për përmirësimin e problemeve në sistemin e faqes së sigurimeve shëndetësore.

"Faqja e intërnetit është tepër e ngadalshme. Njerëzit janë ndeshur me vështirësi gjatë procesit të aplikimit. Mendoj se është e drejtë të thuhet se askush nuk ka qenë më i irrituar nga kjo se sa unë sepse unë mendoj se ky është një produkt i mirë. Dua që regjistrimi të funksionojë mirë. Pra, unë dua që njerëzit të jenë në gjendje të blejnë këtë produkt të mirë.”

“Nuk ka asnjë justifikim” për problemet, tha presidenti Obama, duke shtuar se administrata e tij po bën gjithshka që mundet për të shtuar kapacitetin e faqes së internetit.

Presidenti Obama pranoi se problemet u kanë dhënë më shumë municion opozitës republikane, përpjekjet e së cilës për bllokimin e financimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore çuan në mbylljen e pjesshme 16 ditore të qeverisë. Por ai tha se beteja e "gjatë dhe e debatueshme" mbi reformën e kujdesit shëndetësor nuk u zhvillua vetëm mbi problemet faqes së internetit.

"Ne e kemi zhvilluar këtë betejë për t'u siguruar që miliona amerikanë të vendit më të pasur në botë, më në fund të kenë të njëjtin shans për të marrë sigurime të njëjta shëndetësore me kosto të përballueshme dhe me cilësi të lartë, si gjithë të tjerët."

Administrata nuk ka publikuar shifrat e numrit të përgjithshëm të njerëzve të cilët janë regjistruar me sukses për të marrë sigurime shëndetësore, por ka premtuar se do t’i publikojë ato në nëntor.

Një zëdhënëse e Sekretares së Departamenit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Kathleen Sebelius tha se ajo ka në plan të dëshmojë para Kongresit, por ende nuk është caktuar një datë për dëshminë e saj në Kongres. Republikanët kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Kathleen Sebelius, duke përmendur problemet me faqen e internetit të ligjit për sigurimet shëndetësore.
XS
SM
MD
LG