Lidhje

Obama do të vizitojë Lindjen e Mesme javën tjetër

  • Dan Robinson

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, thotë se do t’i duhet Iranit më shumë se një vit të ndërtojë një bombë bërthamore, por ai theksoi se nuk do që të presë deri afër atij afati.

Zoti Obama tha në televizionin izraelit dje se të gjitha opcionet janë në tavolinë dhe se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet të rëndësishëm nëse diplomacia dështon.

Zv/këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Ben Rhodes, tha dje se iranianët duhet ta dinë se zoti Obama është serioz në angazhimin e tij për t’i ndalur që të zotërojnë një armë bërthamore. Rhodes tha se presidenti nuk bën deklarata të tilla publike nëse nuk është i vendosur t’i zbatojë ato.

Zoti Obama do të bëjë vizitën e tij të parë si president në Izrael të mërkurën dhe gjatë këtij udhëtimi do të ndalet edhe në Bregun Perëndimor dhe në Jordani.

Presidenti Obama e ka vizituar për herë të fundit Izraelin në vitin 2008 kur ishte senator dhe kandidat për president. Tani, ai rikthehet atje si president i zgjedhur dy herë, por që nuk ka patur sukses në kapërcimin e pengesave për paqen në Lindjen e Mesme.

Ai nuk ka ndonjë strategji të re për paqen, por do të japë një mesazh. Ja ç'thotë zëvendës sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë Josh Earnest:

“Paqja mes Izraelit dhe palestinezëve mbetet përparësi për presidentin. Kjo është diçka që ai dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosur t’a mbështesin fort nëse dialogu është gati të nisë”.

Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjidhjen me dy shtete, Izraelin dhe Palestinën që të jetojnë paqësisht krah njëri-tjetrit. Por marëdhënia e zotit Obama me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu ka qenë e tensionuar, kryesisht mbas ndërtimeve izraelite në territoret e pushtuara.

Zoti Obama do të sigurojë të dyja palët se ai mbështet të drejtat e tyre dhe sigurinë e tyre, thotë Neil Kritz i Institutit Amerikan të Paqes. Pritshmëritë janë të larta.

“Për presidentin, një prej sfidave më të mëdha do të jetë gjetja e momentit më të mirë për zgjidhjen me dy shtete. Ai nuk dëshiron që në trashëgiminë e tij, zgjidhja me dy shtete të jetë një mundësi e humbur”.

Zoti Obama u rizgjodh në nëntor me 69 përqind të votës hebraike, pavarësisht se rivali i tij, Mitt Romney, e vuri në dyshim angazhimin e zotit Obama ndaj Izraelit.

Aaron Keyak është drejtor ekzekutiv i Këshillit Demokrat Kombëtar Hebraik. Grupi u ftua në një diskutim me presidentin.

"Ky president, siç është vërtetuar mbas çdo zgjedhjeje, ka qenë një mik i vërtetë i popullit hebre, dhe vota e amerikano-hebrenjëve e ka treguar këtë”.

Eric Fusfield i organizatës ndërkombëtare B’nai Brith e quajti vizitën e zotit Obama në Lindjen e Mesme si një mundësi për të parë se çpo ndodh në terren.

"Nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë përballjen me realitetin, takimin me njerëzit në terren, të shohësh e të ndjesh atë që ndodh sot në Izraeel”.

Disa grupe arabo-amerikane ishin gjithashtu në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, mes tyre Komisoni amerikano arab kundër diskriminimit. Warren David është president i këtij grupi. Ai thotë se arabo-amerikanët i deklaruan zotit Obama se ata janë të zhgënjyer nga mungesa e përparimit drejt krijimit të shtetit palestinez.

“Unë i thashë presidentit se shpresoj që ai të lerë një trashëgimi, dhe mendoj se kjo është ajo që ai duhet të bëjë si president. Në fillim isha shumë pesimist, por nga ajo çka thotë presidenti dhe këshilltarët e tij, jam më optimist”.

Sipas zotit David, arabo-amerikanët i thanë zotit Obama se ata shpresojnë se mes Izraelit dhe palestinezëve do të ketë paqe.

XS
SM
MD
LG