Lidhje

Obama mbron politikën e tij të jashtme

  • Luis Ramirez

Në një fjalim të rëndësishëm që mbajti dje, Presidenti Barack Obama paraqiti politikën e tij të jashtme, e cila kohët e fundit është kritikuar nga njerëz që thonë se ajo e dobët dhe jo e qartë.

Presidenti Obama e përdori fjalimin e tij në ceremoninë e diplomimit të Akademisë Ushtarake të SHBA-së në West Point të Nju Jorkut për të mbrojtur një politikë të jashtme e kritikuar si e dobët.

"Unë do të tradhtoja detyrën time ndaj jush dhe ndaj vendit që duam, nëse ju dërgoj në misione të rrezikshme thjesht sepse vërej një problem diku në botë që duhej rregulluar ose sepse shqetësohem prej kritikëve të cilët mendojnë se ndërhyrja ushtarake është e vetmja mënyrë që Amerika të mos duket e dobët."

Presidenti vuri në dukje se të diplomuarit e këtij viti të Akademisë Ushtarake do të jenë të parët prej vitesh që nuk do të shkojnë për të luftuar në Irak ose Afganistan, luftra të cilat kanë bërë që shumë amerikanë të hezitojnë në lidhje me ndërhyrje të tjera ushtarake jashtë vendit.

Por në të njëjtën kohë, zoti Obama është kritikuar për mosveprim ushtarak në vende si Siria, ku lufta civile vazhdon prej tre vjetësh nga fillimi i saj dhe Ukraina, ku sanksionet amerikane nuk arritën të ndalnin aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Megjithëse vendimet i tij për të qëndruar ushtarakisht jashtë Sirisë dhe Ukrainës kanë qenë në përputhje me sondazhet e opinionit publik amerikan, ato ngrejnë pikëpyetje, thotë analisti Michael O'Hanlon:

"Problemi është se kur merr vendime individuale si këto dhe i bashkon me njëra tjetrën, atëherë situata fillon të duket paksa si udhëheqje e dobët dhe kështu lejohet krijimi i akuzave sipas të cilave udhëheqësit e huaj janë më të motivuar për të vepruar duke shfrytëzuar këtë dritare mundësie, si në rastin e akuzës që përse Putini u bë kaq agresiv në Krime."

Në përpjekje për të treguar forcë, zoti Obama tha se SHBA-ja nuk do të kërkojë leje për të mbrojtur veten dhe do të vazhdojë sulmet anti-terroriste me avionë pa pilot, duke vazhduar përpjekjet për të shmangur viktima civile. Presidenti njoftoi gjithashtu plane për të shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar vendet në Afrikë, Azi, dhe Lindjen e Mesme në luftën kundët terroristëve dhe u zotua për të rritur mbështetjen ndaj grupeve opozitare siriane.
Ndihma e jashtme, diplomacia dhe zhvillimi, thotë Presidenti Obama, janë pjesë e asaj që e bën Amerikën të fortë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG