Lidhje

Replika mes Shtëpisë së Bardhë dhe Senatorit republikan John McCain


Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur me forcë qëndrimin e Presidentit Obama përballë kritikave të Senatorit republikan John McCain, i cili e ka akuzuar presidentin se nuk ka përmbushur zotimet për të marrë masa për parandalimin e masakrave në masë, përfshirë vrasjet në Siri.
Senatori John McCain, rivali i Presidentit Obama në zgjedhjet presidenciale të 2008, ka qenë kritik i vazhdueshëm i politikës së jashtme të zotit Obama, sidomos në lidhje me reagimin amerikan ndaj gjakderdhjes në Siri.
Senatori McCain i shtoi kritikat gjatë komenteve të ndezura dje në Senat. Ai solli si shembull një direktivë të vitit 2011, ku Presidenti fliste për parandalimin e masakrave në masë si “një interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe një përgjegjësi thelbësore morale e Shteteve të Bashkuara”.
Zoti McCain citoi edhe fjalimin e Presidentit vitin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në një kohë kur bota ishte e revoltuar nga sulmet me armë kimike në Siri, për të cilat u fajësuar qeveria siriane.
"Ku është Presidenti Obama që ka folur me kaq emocione për përgjegjësitë morale të fuqive të mëdha? Ku është Presidenti Obama që ka thënë se nuk do të pranojë tiranë brutalë që masakrojnë njerëzit e tyre pa u mbajtur përgjegjës, ndërkohë që fuqitë botërore bëjnë sehir?”
Zoti Obama ka folur në raste të ndryshme për pikëpamjen e tij se Shtetet e Bashkuara nuk mund të zgjidhin të gjitha konfliktet, por kanë një detyrim moral për të mbështetur popujt që ndeshen me shtypje dhe dhunë.
Lidhur me Sirinë ai pat kërcënuar të përdorte forcë ushtarake në përgjigje të sulmeve kimike, por zgjodhi më pas zgjidhjen me negociata që hapi procesin për heqjen dhe shkatërrimin e armëve.
Lidhur me kritikat e Senatorit McCain, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se zoti Obama beson se i ka përmbushur angazhimeet për përgjegjësitë morale për të ndihmuar në parandalimin e masakrave:
"Nuk e kam të qartë se çfarë kërkon zoti McCain, mos po bën thirrje që Shtetet e Bashkuara të pushtojnë Sirinë? Mos do që Amerika të ndërmarrë një fushatë bombardimesh? Presidenti ka folur qartë për pikëpamjet e tij mbi këto çështje, dhe e ka thënë se nuk ka eliminuar asnjë alternativë, por i është përmbajtur pikëpamjes se kursi që kemi ndjekur në Siri ka qenë i drejtë”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin francez Francois Hollande, zoti Obama e cilësoi si “të tmerrshme” gjendjen në Siri, por shtoi se Amerika nuk sheh ndonjë zgjidhje ushtarake për problemin”.
Siri ka qenë temë bisedimesh dje mes Nënpresidentit Joe Biden dhe Mbretit Abdullah të Jordanisë. Siria do të diskutohet edhe më 3 mars në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Obama me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
XS
SM
MD
LG