Lidhje

Medalje Trimërie për 13 oficerë policie


Presidenti Barak Obama nderoi me titullin më të lartë që u jepet zbatuesve të ligjit, 13 oficerë të policisë, që kanë vënë në rrezik jetën për mbrojtjen e qytetarëve. Njëri prej atyre që u nderuan me Medaljen e Trimërisë për Sigurinë e Publikut gjatë një ceremonie dje në Uashington, kishte humbur jetën gjatë detyrës.

Presidenti Obama tha se të 13 oficerët e nderuar të hënën vunë veten në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve:

"Nëse ata nuk do të kishin vepruar me guxim, ndoshta do të kishim humbur shumë jetë njerëzish: nëna, baballarë, bij e bija, miq dhe të afërm.”- tha Presidenti.

Presidenti Obama theksoi se oficerët e nderuar me medalje u ndodhën në vendin ku për ta kishte më tepër nevojë në atë moment, por me veprimet e tyre ata kryen më tepër se sa detyrën. Kështu, një oficer në Filadelfia u vra kur hyri në një dyqan lojërash elektronike dhe u përball me dy vjedhës të armatosur. Atij iu dha medalja pas vdekjes.

"Ata i bënë qëndresë individëve të rrezikshëm, të armatosur me pushkë, revole dhe thika. Njëri prej oficerëve pësoi plagë të shumta nga goditjet, ndërsa luftoi me një sulmues. Një tjetër pësoi djegie të shkallës së parë në krahë dhe në fytyrë, ndërsa shpëtoi një shofer që kishte humbur ndjenjat në një makinë të përfshirë nga flakët në autostradë,”- tha Presidenti Pbama.

Presidenti tha se përkushtimi i një numri të madh zbatuesish të ligjit ndaj detyrës, jo gjithmonë vlerësohet:

"Jo të gjithë do ta mbajnë medaljen që ne po japim sot, por çdo ditë një numër i madh oficerësh sigurie mbajnë distinktivin e tyre të nderuar.”

Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch theksoi se disa prej personave të nderuar nuk ishin në orarin e punës kur u thirrën në detyrë.

"E di se nuk ka fjalë, apo medalje me anën e të cilave mund të shlyhet borxhi që ne i kemi këtyre oficerëve të jashtëzakonshëm dhe ndaj të gjithë këtyre policëve, zjarrfikësve, agjentëve federalë, komisarëve të policisë, apo personelit teknik mjekësor të shërbimit të urgjencës, të cilët përpiqen me çdo kusht për të përmbushur betimin e tyre për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer popullit amerikan.”- tha prokurorja Lynch.

Medalja e Trimërisë për Sigurinë e Publikut filloi të jepet për herë të parë nga Presidenti Bill Clinton në vitin 2000, për të nderuar oficerët, zjarrfikësit dhe individë të tjerë që japin ndihmën e shpejtë me guxim të jashtëzakonshëm.

XS
SM
MD
LG