Lidhje

Obama mbi izraelitët dhe palestinezët

  • Dan Robonson

Presidenti tha se paqja me palestinezët është e nevojshme dhe e mundur

Presidenti amerikan Barak Obama i tha një audience me studentë izraelitë se e ardhmja e vendit të tyre varet nga vendosja e një paqeje të qëndrueshme me palestinezët. Fjalimi u mbajt ndërkohë që presidenti Obama po i jepte fund vizitës së tij dy ditore në Izrael dhe në territoret palestineze.

Fjalimi para rreth 2 mijë studentëve izraelitë ishte një përpjekje e presidentit Obama për të nxitur brezin e ri të Izraelit që të shqyrtojë, siç u shpreh ai, të ardhmen që ata mund ta krijojnë. Dhe ai i bëri për vetë ata.

E ardhmja, tha ai, duhet të përfshijë hapa që mund të shoqërohen me rreziqe për të arritur paqe të qëndrueshme me palestinezët:

Zoti Obama tha se sfidat po shkaktohen nga ndryshimet demografike në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet politike që kanë përfshirë botën arabe ku paqja nuk mund të bëhet më me autokratët që kanë qëndruar në pushtet për një kohë të gjatë, por ajo duhet të arrihet në mes të popujve.

Ai tha se paqja me palestinezët është e nevojshme dhe e mundur:

“Asnjë hap i vetëm nuk mund të ndryshojë brenda natës zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve. Asnjë hap i vetëm nuk do të fshinte vitet e historisë dhe propagandës. Por përparimi në marrëdhëniet me palestinezët është një mënyrë e fuqishme për të filluar, ndërkohë që izolohen ekstremistët të cilët përfitojnë nga konfliktet dhe përçarjet. Përparimi me palestinezët mund të sjellë ndryshime”.

Zoti Obama siguroi izraelitët se megjithëse ai u ka kërkuar atyre të rrezikojnë për të arritur paqen, ata gjithmonë do të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara:

“Sot unë dua t’ju them, veçanërisht të rinjve, që të mos ketë keqkuptime këtu. Për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ekzistojnë, ju nuk do të jeni vetëm”.

Më parë, presidenti Obama zhvilloi bisedime në Bregun Perëndimor e të pushtuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Ai pranoi zhgënjimet me përpjekjet për arritjen e paqes, por tha se palestinezët dhe izraelitët nuk duhet të mbeten të mbërthyer në qëndrimet e vjetra që kanë parandaluar mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta.

Presidenti Abbas tha se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë pengesë e madhe për arritjen e zgjidhjes me dy shtete:

“Është detyrë e qeverisë izraelite që të paktën të ndalë aktivitetin, në mënyrë që ne të mund të flasim për çështjet, dhe kur t’i përcaktojmë kufijtë të dyja palët të dinë se cili është territori i tyre brenda të cilit mund të bëjnë çfarë të duan”.

Presidenti Obama u tha studentëve izraelitë se kërkesa palestineze për një shtet të pavarur është e drejtë, edhe pse siguria duhet të jetë në qendër të çdo marrëveshjeje dhe Shtetet e Bashkuara do të kundërshtonin përpjekjet palestineze për të anashkaluar negociatat përmes paraqitjes së kërkesave të tyre në OKB.
XS
SM
MD
LG