Lidhje

Presidenti Obama në Universitetin e Jeruzalemit


Ai i siguroi studentët se “ata nuk janë të vetmit” që përballen me kërcënimet e sigurisë me të cilat ndeshet Izraeli dhe u bëri thirrje të përpiqen për paqe me palestinezët, si “e vetmja rrugë për arritjen e sigurisë së vërtetë”

Presidenti Barak Obama mbajti sot një fjalim në Universitetin e Jeruzalemit. Ai i siguroi studentët se “ata nuk janë të vetmit” që përballen me kërcënimet e sigurisë me të cilat ndeshet Izraeli dhe u bëri thirrje të përpiqen për paqe me palestinezët, si “e vetmja rrugë për arritjen e sigurisë së vërtetë”.

Presidenti Obama u foli studentëve gjerësisht për arritjet historike për liri të popullit hebraik në tokën e tyre dhe për vlerat e përbashkëta të amerikanëve dhe izraelitëve. Zoti Obama po ashtu tha se si një mik “tepër i përkushtuar” ndaj së ardhmes së Izraelit, ai beson se izraelitët mund ta ruajnë identitetin e tyre dhe demokracinë, në se ata bien dakord për ekzistencën një shteti të pavarur dhe të suksesshëm të Palestinës.

Zoti Obama tha se udhëheqësit izraelitë duhet të pranojnë se “aktiviteti i vazhdueshëm i ndërtimit të vendbanimeve” në tokën ku palestinezët thonë se do të jetë shteti i tyre, nuk është aspak produktiv. Zoti Obama po ashtu tha se ai beson se Izraeli ka një partner të vërtetë paqeje, presidentin palestinez Mahmud Abbas.

Më parë, Presidenti Barak Obama i bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të fillojnë bisedimet e paqes për çështjet thelbësore të konfliktit mes tyre, pa pritur që më parë të zgjidhen mosmarrëveshjet.

Zoti Obama i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Ramallah. Zoti Obama tha se bisedimet nuk kanë kuptim, në se secila nga palët pret që bisedimet e drejtpërdrejta të mund të mbahen vetëm kur gjithshka të jetë përcaktuar paraprakisht.

Zoti Abbas këmbënguli se ai nuk do të hyjë në bisedime, në se Izraeli nuk ndal aktivitetin në Bregun Perëdnimor dhe ngritjen e vendbanimeve të reja Jeruzalemin Lindor, dy rajone ku ai thotë se do të ndodhet shteti i ri palestinez. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i ka bërë thirrje prej një kohe të gjatë zotit Abbas, që bisedimet e drejtpërdrejta të rifillojnë pa parakushte.

Në konferencën e shtypit me zotin Obama, zoti Abbas përsëriti pikëpamjen e tij se aktiviteti i ngritjes së vendbanimeve nga Izraeli është i paligjshëm. Ai tha se qeveria e tij është e gatshme të verë në zbatim të gjitha premtimet ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit përmes ekzistencës së dy shteteve krah njëri tjetrit, Palestinës dhe Izraelit.

Zoti Abas shprehu vendosmërinë për arritjen e pajtimit mes palestinezëve, duke ju referuar përpjekjeve të tij prej vitesh, për t’i dhënë fund ndarjes me grupin militant islamik Hamas, që i nxori forcat e tij nga rripi i Gazës në vitin 2007.
XS
SM
MD
LG