Lidhje

Obama, ndjesë grupit MPK për sulmin


Presidenti amerikan Barack Obama ka kontaktuar organizatën Mjekët pa Kufi për të kërkuar ndjesë për bombardimin e spitalit ndërkombëtar në Kunduz të Afganistanit, ku gjetën vdekjen 22 vetë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se zoti Obama i telefonoi presidentes së organizatës Joanne Liu për të kërkuar ndjesë dhe për të shprehur ngushëllime të thella.

“Në këtë rast u bë një gabim dhe Shtetet e Bashkuara e pranojnë gabimin,” tha zoti Earnest. Ai tha se presidenti “është shumë i angazhuar për të ndriçuar plotësisht çfarë ndodhi”.

Zoti Obama i telefonoi Presidentit afgan Ashraf Ghani për të shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve të pafajshme nga bombardimi i së dielës, tha zëdhënësi dhe për të lavdëruar forcat afgane për trimërinë e tyre në luftën për të rimarrë qytetin e Kunduzit në përleshje me kryengritësit talebanë.

Organizata Mjekët pa Kufi kërkoi dje krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të zhvilluar një hetim në bazë të Konventave të Gjenevës.

"Është i papranueshëm bombardimi i një spitali dhe vrasja e stafit dhe pacientëve dhe të komentohet si pasojë e paqëllimtë e një sulmi ushtarak, apo thjesht si një gabim,” tha zonja Liu para bisedës me Presidentin Obama.

Zonja Liu tha se duhen hetuar faktet e sulmit në mënyrë të paanshme dhe objektive dhe se organizata Mjekët pa Kufi nuk mund t’u zërë besë hetimeve që zhvillojnë Shtetet e Bashkuara, Afganistani apo NATO.

Pentagoni ka thënë se do të zhvillojë një hetim të hollësishëm dhe se rezultatet paraprake do të dalin brenda pak ditësh.

XS
SM
MD
LG