Lidhje

Obama merr pjesë në takimin e NATO-s në Uells

  • Luiz Ramirez

Presidenti Obama niset të martën për një udhëtim në Estoni dhe më pas në Uells dhe Britani, për një takim të udhëheqësve të vendeve të NATO-s. Veprimet e fundit të Rusisë në Ukrainë i japin një rëndësi të veçantë vizitës së Presidentit Obama në Estoni dhe takimit të udhëheqësve të NATO-s.

Dërgimi i trupave amerikane në Estoni në prill ishte një shenjë konkrete e mbështetjes amerikane për vendet baltike të cilat ndjehen të kërcënuara nga agresioni i Rusisë në Ukrainë.

Ndalesa e Presidentit Obama në Estoni, një anëtare e NATO-s, ka për qëllim të riafirmojë angazhimet e Amerikës në fushën e mbrojtjes.

"Një nga arsyet e udhëtimit tim në Estoni është t’u them estonezëve se ne i mbështesim fjalët me vepra kur bëhet fjalë për detyrimet tona ndaj traktatit".

Dhuna e kohëve fundit dhe dëshmitë se Rusia është duke dërguar qindra trupa në Ukrainë janë tregues se vizita e Presidentit Obama vjen në një kohë kritike.

Estonia, ashtu si Ukraina, është një ish-republikë sovjetike, dhe ka një pakicë të madhe ruse. Këta faktorë i bëjnë estonezët të ndjehen të pambrojtur.

Heather Conley është ish-Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit.

"Gjithmonë ka ekzistuar një frikë e madhe në shtetet baltike se sa e gatshme do të ishte NATO-ja për t’i mbeshtetur ata në rast të një krize. Dhe unë mendoj se kjo është shumë e qartë, jo vetëm me fjalë dhe me solidaritetin tonë, por ne në fakt kemi dërguar ushtarë amerikanë dhe pajisje në shtetet baltike".

Por aftësia e NATO-s për të përmbushur angazhimet është një çështje tjetër. Duke marrë parasysh shkurtimet e buxheteve të mbrojtjes nga evropianët, barra kryesore e sigurimit të pajisjeve dhe personelit për misionet e aleancës bie mbi Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama do t’u kërkojë vendeve anëtare që të bëjnë më shumë.

"Mendoj se një nga arsyet që ky takim i NATO-s do të jetë i rëndësishëm është rikthimi i vëmendjes në çështjen e funksionit kritik që ka NATO, pra për të garantuar që çdo vend do të japë kontribut për të mundësuar realizimin e premtimit të sigurisë në bazë të nenit 5".

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që kriza në Ukrainë të jetë e mjaftueshme për të nxitur anëtarët e NATO-s që të kuptojnë se duhet të rrisin kontributin e tyre.

XS
SM
MD
LG