Lidhje

Takim i NATO-s para mbylljes së operacioneve në Afganistan

  • Kent Klein

Presidenti Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen kanë rënë dakord që Aleanca të zhvillojë një takim të nivelit të lartë vitin e ardhshëm, ndërkohë që forcat e saj po përmbyllin operacionet luftarake në Afganistan. Dy udhëheqësit u takuan dje në Shtëpinë e Bardhë.

Pas diskutimeve me udhëheqësin e NATO-s, zoti Obama tha se koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan ka arritur sukses të konsiderueshëm drejt kalimit të kompetencave të sigurisë në duart e popullit afgan.

“Tani dhe në javët në vazhdim po analizojmë një moment historik, atë që caktuam si objektiv në Çikago, për t’u kaluar afganëve komandën e operacioneve luftarake në Afganistan”.

Operacionet luftarake të NATO-s në Afganistan pritet të përfundojnë brenda vitit 2014. Por zoti Rasmusen thotë se disa trupa amerikane dhe të NATO-s do të qëndrojnë përtej këtij afati për të stërvitur, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane.

“Ne po avancojmë drejt synimit tonë: një Afganistan që mund të qëndrojë mbi këmbët e veta. Por afganët nuk do të jenë të vetëm. Ne jemi të përgatitur për një partneritet afat-gjatë me popullin afgan”.

Presidenti tha se me afrimin e afatit, do të ishte me vlerë zhvillimi i një takimi të nivelit të lartë të NATO-s.

“Ne ramë dakord që, në mënyrë që të lehtësojmë përmbushjen e këtij procesi, do të ishte me vend të zhvillonim një takim tjetër të NATO-s vitin e ardhshëm”.

Data dhe vendi i takimit nuk janë përcaktuar ende. Presidenti tha se zoti Rasmusen do të zgjedhë vendin organizator.

Takimi i fundit i nivelit të lartë të NATO-s u zhvillua në Çikago në maj 2012.

Presidenti dhe udhëheqësi i NATO-s diskutuan edhe përpjekjet për në mbështetje të demokracisë në Libi. Zoti Obama përgëzoi gjithashtu zotin Rasmusen për ndihmën ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes së fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve.
XS
SM
MD
LG