Lidhje

Në prag të takimit Obama-Netanjahu


Presidenti Barak Obama do të presë Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për bisedime të cilat do të përqëndrohen te çështja që ka ngjallur më shumë polemika mes dy vendeve: marrëveshjes bërthamor të Iranit. Vizita vjen vetëm disa muaj pasi marrëdhëniet amerikano-izraelite shënuan një pikë të ulët; vjen gjithashtu ndërkohë që janë rritur tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ishte një fjalim i pashembullt.

Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit:

"Kjo është një marrëveshje e keqe. Është një marrëveshje shumë e keqe”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk kishte qenë kurrë aq i hapur në kritikën e tij ndaj negociatave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Fjalimi u mbajt në muajin mars para Kongresit amerikan dhe disa ligjvënës demokratë e quajtën atë një fyerje ndaj Presidentit Obama.

Më pak se një muaj pas arritjes së marrëveshjes, Presidenti Obama iu kundërvu kështu shqetësimeve të zotit Netanjahu:

Barack Obama, president i SHBA:

"Një Iran me armë bërthamore është shumë më i rrezikshëm për Izraelin, Amerikën dhe botën se sa një Iran që përfiton nga lehtësimi i sanksioneve."

Pikërisht në këtë sfond do të takohen dy udhëheqësit më 9 nëntor për bisedime në Zyrën Ovale. Do të jetë takimi i tyre i trembëdhjetë.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, thotë se nuk do të flitet vetëm për Iranin por edhe për luftën kundër Shtetit Islamik dhe për rritjen e sigurisë së Izraelit.

Josh Earnest Sekretar i shtypit:

"Kryeministri Netanyahu më parë e ka quajtur të paprecedent nivelin e bashkëpunimit për sigurinë që është ofruar nga administrata Obama. Kjo, mendoj se është një tregues i angazhimit personal të Presidentit për sigurinë e Izraelit dhe i marrëdhënieve të patundura mes dy vendeve."

Tensionet dhe dhuna janë shkallëzuar pas një serie sulmesh me thika ndaj izraelitëve dhe vdekjeve të palestinezëve në duart e forcave të sigurisë izraelite.

Në një konferencë për shtyp në tetor, zoti Obama e dënoi dhunën dhe u kërkoi të dyja palëve të heqin dorë nga retorika. Ai pranoi ndërkaq se përpjekjet e SHBA drejt një zgjidhjeje me dy shtete kanë ngecur:

"Mendoj se kjo do të varet nga palët dhe ne jemi të gatshëm për të ndihmuar, për të parë nëse ata mund të rifillojnë një marrëdhënie më konstruktive. Por ndërkohë, të gjithë duhet të përqëndrohen te çështja se si të parandalohen vdekjet e njerëzve.”

Daniel Serwer i Universitetit John Hopkins, thotë se ka pak gjëra që mund të bëjë zoti Obama, përveçse t’i bëjë trysni zotit Netanjahu për çështjen e vendbanimeve hebraike.

Daniel Serwer, Universiteti Johns Hopkins, SAIS:

"Ata vazhdojnë të ndërtojnë vendbanime dhe të zgjerojnë praninë izraelite në Bregun Perëndimor. Kjo është sigurisht e papranueshme nga këndvështrimi amerikan dhe palestinez, por nuk do të thotë se nuk do të vazhdojë."- thotë zoti Serwer.

Zoti Obama, si shumë presidentë amerikanë para tij, mund të japë një shtytje të fundit drejt paqes përpara largimit nga detyra, por analistët thonë se pa vullnet politik nga udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, kjo përpjekje mund të jetë e kotë.

XS
SM
MD
LG