Lidhje

Obama, plane për të zgjeruar kërkimet e naftës dhe gazit në SHBA

  • Mil Arcega

Presidenti Barack Obama njoftoi plane për të zgjeruar kërkimet e naftës dhe gazit në zonat pranë bregdetit, duke i dhënë fund një ligji 20 vjeçar që i ndalon eksplorime të tilla në bregdetin e Atlantikut jugor në Shtetet e Bashkuara. Presidenti e quajti vendimin e tij pjesë të një strategjie më të gjerë për të ulur varësinë amerikane nga nafta e huaj duke shtuar përdorimin e karburanteve të vendit dhe nxitur energjinë e pastër. Por veprimtarët e mjedisit thonë se ky është një hap prapa për një president i cili bëri fushatë me premtimin për një ekonomi të gjelbër.

Plani për t’ia nënshtruar eksplorimeve për naftë dhe gaz pjesë të mëdha të bregdetit jugor dhe lindor përfaqëson një ndryshim me rëndësi në politikën energjitike të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Obama tha se ky nuk ishte një vendim i lehtë.

"Me pak fjalë, duke patur parasysh nevojat tona për energji, për të ruajtur rritjen ekonomike, për të krijuar vende pune dhe për të ruajtur forcën konkurruese të bizneseve tona, ne do të duhet të shfrytëzojmë burimet tradicionale të lëndës djegëse edhe pse jemi duke punuar për burime të reja energjie të ripërtëritëshme këtu në vend."

Duke theksuar angazhimin e tij për energjinë e ripërtëritëshme, Presidenti e bëri njoftimin në Bazën Ajrore Andrews përpara një avioni luftarak që përdor biokarburant.

"Nëse provat dalin me sukses, ky do të jetë avioni i parë supersonik që do të përdorë një përzjerje karburantesh gjysma e të cilëve vjen nga biomasa."

Por veprimtarët e mjedisit thonë se Presidenti po shkel në një pikë delikatë që mund të paralizojë përpjekjet drejt ligjeve të cilat synojnë t’u përgjigjen ndryshimeve klimatike.

Anna Aurilio e organizatës Environment America thotë se plani i ri do të shtojë varësinë e Amerikës te nafta dhe do të keqësojë ngrohjen globale.

"Nuk besoj se e ulim varësinë nga nafta duke bërë kërkime për naftë sidomos për faktin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë naftë të mjaftueshme. E gjithë nafta që mund të nxirret nga detet tona është një fraksion i vogël i asaj që ne përdorim tani dhe do të duhen shumë e shumë vite që ajo të hidhet në treg."

Plani i President lejon kërkimet dhe shpimet për naftë në det rreth 80 kilometra larg brigjeve amerikane, nga shteti Virxhinia në Atlantik e deri në shtetin jugor të Floridës. Ai lejon gjithashtu shpime në lindje të Gjiritë të Meksikës.

Kompanitë e naftës e përshëndetën vendimin.
Presidenti shpreson të ketë përkrahjen e republikanëve të opozitës, të cilët gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008 krijuan shprehjen "Drill Baby Drill", një aludim për të bërë shpime për naftë në Shtetet e Bashkuara .

"Unë jam i hapur ndaj propozimeve të miqve të mij demokratë dhe të miqve republikanë. Mendoj se mund ta thyejmë politikën e mosbashkëpunimit të së kaluarës kur vjen puna për politikën energjitike."

Komentet e presidentit u shoqëruan me propozime të tjera për energjinë që pritet të përshëndeten nga organizatat e mjedisit. Kjo plane përfshijnë rritjen e standardeve në efiçencën e përdorimit të karburanteve nga makinat e reja si dhe një porosi për të blerë 5 mijë automjete hibride për përdorim nga qeveria federale.

XS
SM
MD
LG