Lidhje

Presidentit Obama sot flet në OKB

  • Dan Robinson

Në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sot, Presidenti Barak Obama do të trajtojë propozimet e fundit të Iranit, hapat për eliminimin e armëve kimike të Sirisë, dhe bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Presidenti Obama pritet t’u flasë drejtpërdrejt udhëheqësve botërorë rreth propozimeve të fundit të Iranit, Sirinë, dhe këndvështrimin e tij në lidhje me përgjegjësitë e botës për kundërshtimin e vendosur ndaj përdorimit të armëve kimike.

Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se ai pritet të flasë edhe rreth pikëpamjeve të Shteteve të Bashkuara mbi situatën dhe sfidat komplekse në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke përfshirë situatën në Siri, dhe lidhjen e tyre me interesat amerikane.

Në një diskutim të zhvilluar dje mbi sfidat globale të shoqërisë civile, Presidenti Obama bëri disa komente që duket se mund t’i paraprijnë asaj që ai mund të thotë në lidhje me situatën në botën arabe.

Ai tha se ndryshimi "nuk është gjithmonë një alternativë e qetë ", por Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj përpjekjeve për ndryshim.

"Dua ta konfirmojë se në planin afatgjatë, ne të gjithë do të jemi më mirë në qoftë se respektohet dinjiteti dhe zëri i pronarit të një dyqani të vogël, fermërit, studentit, personit me aftësi të kufizuara, homoseksualit, pakicës etnike dhe pakicës fetare, kjo do ta ruajë dinjitetin tonë dhe sigurinë tonë në planin afatgjatë. "

Në lidhje me Sirinë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se zoti Obama do t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë një qëndrim më të fortë kundër përdorimit të armëve kimike.

Ai gjithashtu do t’i bëjë thirrje udhëheqësve të mbështesin një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zbatimin e pasojave ndaj qeverisë së Bashar al-Asad-it nëse ajo nuk bashkëpunon në përpjekjet për vendosjen e armëve kimike siriane nën kontrollin ndërkombëtar.

Sa për shpresën e një shkrirjeje të mundshme të marrëdhënieve SHBA-Iran, pas propozimeve për bisedime nga Presidenti iranian Hasan Rouhani, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë vazhdojnë të thonë se nuk është planifikuar asnjë takim me iranianët.

Irani këtë javë në Nju Jork do të zhvillojë bisedime me grupin e vendeve P5 +1, ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara.

Zëvendës Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes tha se një mbledhje apo një takim i përbashkët nuk do të zgjidhte të gjitha problemet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por Shtetete e Bashkuara mbeten të hapur ndaj angazhimit me Iranin.

Udhëheqësi iranian i drejtohet udhëheqësve botëror në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së sot pas Presidentit Obama. Presidenti Rouhani kohët e fundit ka thënë se Irani nuk ka në plan të prodhojë armë bërthamore.

Presidenti Obama do të flasë edhe mbi bisedimet e drejtpërdrejta të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve mbi çështjen e statusit përfundimtar dhe mundësinë që ato ofrojnë.

Sot, presidenti Obama takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas gjatë punimeve të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Ai më 30 shtator do takohet në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Presidenti Obama do të takohet edhe me Presidentin e Libanit Mishel Sulejman, me të cilin do të flasë rreth sfidave me të cilat po përballet Libani nga lëvizja e mijëra refugjatëve nga Siria dhe rreth mbështetjes së procesit demokratik të Libanit.
XS
SM
MD
LG