Lidhje

Obama: Krahasimi i Krimesë me Kosovën nuk ka kuptim


Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga mundësia e ndërhyrjes së Rusisë në brendësi të Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë. Duke folur sot në një konferencë shtypi në Holandë, përkrah kryeministrit holandez, presidenti Obama shtoi se ky do të ishte një vendim i gabuar i Rusisë. Presidenti Obama tha se rasti i Kosovës, që është sjellë si paralelizëm nga Rusia për Krimenë, nuk është aspak i ngjashëm.

“Kur dëgjoj krahasime me Kosovën, ku mijëra njerëz po masakroheshin nga qeveria e tyre, ky është një krahasim që nuk ka absolutisht asnjë kuptim. Është e rëndësishme që gjithkush ta ketë të qartë se këto janë justifikime, në rast të një veprimi tjetër të mundshëm të rusëve”, tha Presidenti Obama.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, tha presidenti, kanë në plan të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, në se është e nevojshme.

Ai e pranoi se ushtria ruse e ka nën kontroll Krimenë, por shtoi se aneksimi i gadishullit, “nuk është i përfunduar", pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh.

Presidenti Obama tha se ai beson se nëse ukrainasit do të lejoheshin të zgjidhnin vetë, ata do të zgjidhnin të kishin marrëdhënie të mira si me Evropën edhe me Rusinë.

Po ashtu ai tha se ndryshe nga pretentimet ruse, nuk ka të dhëna se banorët rusisht-folës në rajonet lindore të Ukrainës po kërcënohen. Ai tha se ka të dhëna se “provokatorë ruse”, po përpiqen të destabilizojnë Ukrainën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG