Lidhje

Presidenti Obama fal dënimet për 273 persona në prag të largimit


Ish analisti i zbulimit të ushtrisë amerikane, Chelsea Manning dhe një gjeneral i marinës amerikane në pension, janë mes 273 personave, të cilët u falën, ose ju shkurtua dënimi nga Presidenti Barack Obama.

Manning u dënua me 35 vjet burgim në vitin 2013 nga një gjykatë ushtarake për dorëzimin në vitin 2010 të më tepër se 700,000 dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane organizatës WikiLeaks. Në këto dokumente përfshiheshin raporte me informacione nga lufta në Afganistan dhe në Irak, si dhe kabllo komunikimi të Departamentit të Shtetit.

Manning, që në atë kohë njihej me emrin Bradley, tha se i kishte dorëzuar dokumentet për të nxjerrë në shesh të vërtetën lidhur me përfshirjen ushtarake amerikane në këto luftra. Sipas vendimit të Presidentit Obama, Chelsea Manning do të lirohet nga burgu ushtarak ku ai ndodhet, në muajin maj.

Mes personave që u falën nga Presidenti Obama është edhe gjenerali në pension i marinës amerikane, James Cartwright, i cili ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përbashkët të Shtamadhorisë.

Në muajin tetor, ai pranoi se ishte fajtor për akuzat se kishte gënjyer hetuesit federalë lidhur me rrjedhjen e informacionit mbi një sulm ajror amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Cartwright ishte në pritje të vendimit pë dënimin e tij. Prokurorët federalë patën kërkuar dënimin e tij me dy vjet.

Avokatët e Chelsea Manning thanë se falja nga Presidenti Obama “i shpëtoi asaj në fakt jetën.” Chelsea u përpoq të kryente dy herë vetëvrasje pasi pati deklaruar pas dënimit të saj, se e kishte ndryshuar identitetin e saj në grua.

Shumica e personave të tjerë që u falën, ose ju shkurtua dënimi nga Presidenti Obama, ishin duke kryer dënime për vepra penale që nuk lidhen me ushtrimin e dhunës prej tyre, por për përdorimin e drogës.

XS
SM
MD
LG