Lidhje

Presidenti Obama në ceremoninë e varrimit të Shimon Peresit


Presidenti amerikan, Barack Obama, mbajti një eulogji në funeralin e udhëheqësit izraelit, Shimon Peres, duke e cilësuar atë si "gjigant të shekullit të 20-të"dhe duke e ndërlidhur atë me personalitete si Nelson Mandela dhe mbretëresha Elizabeth.

Presidenti Obama tha se edhe Shtetet e Bashkuara edhe Izraeli janë "ngritur nga idealistë të paepur dhe emigrantë luftarakë", ndërsa lavdëroi Peresin për përkushtimin e tij në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

"Përkundër përballjes me sulme terroriste, përkundër dëshpërimeve të njëpasnjëshme në tryezën e bisedimeve, ai nguli këmbë që si qenie njerëzore palestinezët duhet të shihen të barabartë me izraelitët dhe së këndejmi të barabartë në vetëvendosje", tha ai.

Në fillim të eulogjisë, ai tërhoqi vëmendjen tek udhëheqësi palestinez, Mahmoud Abbas, që ishte i ulur në rreshtin e parë dhe përshëndeti praninë e tij në funeral si "një gjest dhe përkujtues për punën e pakryer në vendosjen e paqes". Mahmoud Abbas shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa fjalë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, para fillimit të ceremonisë së varrimit.

Duke marrë pjesë në ceremoni, Abbas shpreson "të dërgojë mesazhin tek shoqëria izraelite se palestinezët janë në favor të paqes dhe që vlerëson përpjekjet e njerëzve paqësor siç ishte Shimon Peres," tha një zyrtar i lartë pelstinez.

Abbas nuk e kishte vizituar Jerusalemin që nga viti 2010 dhe ishte udhëheqësi i parë arab që shprehu pikëllimin për vdekjen e Peresit të mërkurën. Mbreti i Jordanisë, Abdullahu, i shprehu ngushëllime Izraelit të enjten. Vdekja e Shimon Peresit u prit ne heshtje nga pjesa më e madhe e vendeve arabe, duke pasqyruar kësisoj kundërshtimin e tyre të gjatë ndaj Izraelit.

Presidenti Obama drejtoi delegacionin e 32 zyrtarëve amerikanë, përfshirë ish presidentin Bill Clinton, sekretarin e shtetit John Kerry, senatorin demokrat Bob Casey dhe udhëheqësen e demokratëve në dhomën e përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Presidenti Clinton foli po ashtu në funeralin e së premtes.

Kryeministri Netanyahu tha se Shimon Peres i kushtoi jetën e tij sovranitetit të popullit izraelit.

Shimon Peres vdiq të mërkurën në moshën 93 vjeçare.

Ai shërbeu në së gjati si anëtar i parlamentit në historinë e Izraelit duke qenë anëtar i Knessetit për 48 vjet.

I lindur në Bjellorusinë e sotme më 1923, Shimon Peres u zhvendos me familjen në shtetin e ardhshëm hebraik kur ishte 11 vjeç dhe kur Izraeli njihej si Palestina britanike.

Në vitin 1952, kur ishte 29 vjeç, ai u bë ministri më i ri i mbrojtjes i Izraelit. Atij iu njoh merita se punoi për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes, atë ajrore dhe programin bërthamor të Izraelit.

Në karrierën e tij të gjatë, zoti Peres mbajti pothuajse çdo post të lartë politik të vendit. Ai ka qenë dy herë kryeministër, president, ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm.

Arritja e tij më e madhe si ministër i jashtëm ka qenë roli në nënshkrimin e Marrëveshjes së Oslos, e cila i dha statusin vetëqeverisës palestinezëve, përpjekje për cilën ai së bashku me ish-kryeministrin Yitzhak Rabin dhe ish-udhëheqësin palestinez Yasser Arafat u nderua me çmimin Nobel të paqes në vitin 1994.

XS
SM
MD
LG