Lidhje

Obama: "Përparim i madh" në marrdhëniet SHBA-Brazil


Presidenti Barak Obama tha se ka patur “përparim të madh” në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Brazilin, megjithëse ende ka shumë punë për t’u bërë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Dan Robinson njofton se presidenti i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me presidenten e Brazilit, Dilma Rousseff, në të cilin u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe çështjet globale, përfshirë ekonominë botërore.

Vizita e presidentes Rousseff erdhi pak më shumë se një vit pasi presidenti Obama vizitoi Brazilin gjatë një turneu që ai bëri në Amerikën Latine.

Ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, Brazili ka rezerva të mëdha të naftës dhe një klasë të mesme e cila vazhdon të zgjerohet. Brazili gjithashtu është duke luajtur një rol udhëheqës gjithnjë e më agresivë në çështjet globale, duke përfshirë edhe organizatat si Grupi i 20 vendeve më të industrializuara dhe vendeve në zhvillim.

Në mesin e çështjeve që ata diskutuan në këtë takim ishin tregtia, investimet në teknologji dhe novacione, energjia alternative dhe iniciativa të përbashkëta arsimore, përfshirë programet e bursave për studentët brazilianë që po ndjekin studimet në universitetet amerikane.

Presidenti Obama vuri në dukje progresin social të Brazilit dhe rolin e madh të këtij vendi në çështjet botërore.

“Kalimi nga diktatura në demokraci, rritja e jashtëzakonshme ekonomike, nxjerrja e miliona njerëzve nga varfëria, dhe marrja e rolit udhëheqës në rajon dhe në botë janë arritje të mëdha për Brazilin”.

Zoti Obama e quajti Brazilin udhëheqës në prodhimin e bio-karbureve, dhe tha se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen “konsumator i madh” i naftës dhe depozitave të gazit të Brazilit. Presidentja Rousseff tha se sektorët e naftës dhe gazit janë një mundësi e madhe për bashkëpunim.

Presidentja Rousseff tha se dy udhëheqësit diskutuan edhe mbi situatën globale financiare, përfshirë përpjekjet e Evropës për të stabilizuar krizën e borxheve atje.

“Gjatë këtij takimi ne kemi trajtuar edhe shqetësimin tonë në lidhje me krizën ndërkombëtare, e cila ka çuar në rritjen e paqëndrueshmërisë, rritje të vogël ekonomike dhe rritjen e nivelit të papunësisë në disa rajone të botës.”

Zonja Rousseff tha se ajo i shprehu shqetësimin e saj zotit Obama për politikat ekspansioniste monetare që ajo tha se mund të çojnë në zhvlerësimin e monedhës në vendet e zhvilluara dhe mund të dëmtojnë rritjen ekonomike në vendet në zhvillim.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney nuk u tha gazetarëve se cila ishte përgjigja e menjëhershme e presidentit Obama ndaj këtij komenti të udhëheqëses braziliane.

Asnjëri prej udhëheqësve nuk komentuan mbi programin bërthamor të Iranit apo vendosjen e sanksioneve globale kundër këtij vendi. Në një deklaratë të përbashkët ata thanë se “mbështesin fuqishëm përpjekjet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore, sigurinë bërthamore dhe çarmatimin”.
Vizita e presidentes Rousseff në Shtetet e Bashkuara ndodh vetëm disa ditë para takimit të gjashtë të vendeve të kontinenteve amerikane që do të zhvillohet në Kartagjenë të Kolumbisë në të cilin do të marrin pjesë 33 udhëheqës përfshirë presidentin Obama dhe presidenten Rouseff. Kuba nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Udhëheqësja braziliane tha se problemi i trafikut të drogës dhe dhunës do të jenë pjesë e diskutimeve në këtë takim.

XS
SM
MD
LG