Lidhje

Obama, Plani për Irakun

  • Luis Ramirez

Presidenti Barak Obama do të dërgojë 300 këshilltarë ushtarakë amerikanë në Irak për të ndihmuar autoritetet e Bagdatit të luftojnë kryengritësit islamikë.

Presidenti Obama është përballur me presion për t’iu përgjigjur përparimit të ekstremistëve që javën e kaluar iu afruan ndjeshëm kryeqytetit irakian, Bagdat. Dje presidenti parashtroi hapat e administratës për të mbështetur forcat irakiane të sigurisë:

“Kemi pasur këshilltarë në Irak që vepronin përmes ambasadës dhe po përgatitemi të dërgojmë një numër këshilltarësh të tjerë ushtarakë – deri në 300 këshilltarë, për të analizuar si mund të ndihmojmë më së miri me stërvitje, këshilla dhe mbështetje”.


Ekipet përbëhen nga operativë specialë me detyrën fillestare për të analizuar gjendjen e forcave irakiane të sigurisë. Zyrtarët thonë se dhjetëra prej tyre do të mbërrijnë së shpejti në Bagdat. Trupat ndodhen aktualisht në baza të ndryshme në rajon.

Presidenti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë përpjekjet e zbulimit dhe vëzhgimit në mbështetje të operacioneve irakiane.

Gjenerali amerikan në pension Jack Keene tha se Iraku ka nevojë urgjente për një strukturë zbulimi si ajo që kishin në këtë vend Shtetet e Bashkuara para tërheqjes në 2011.

“Kishim sisteme për të gjithë skenën e operacioneve dhe për operacione lokale, pra ishim në dieni të situatës në terma reale: dinim ku ishte armiku dhe çfarë po bënte. Pikërisht kjo nevojitet tani. Kur u tërhoqëm në 2011, Malikit iu shua ky ekran informacioni. Ne e morëm me vete këtë kapacitet, por duhet ta kthejmë në Irak”.

Presidenti tha se në të ardhmen ka gjasa të ndërmerren veprime ushtarake me fokus të ngushtë, por ai shtoi se nuk bëhet fjalë për një angazhim të ri të forcave amerikane pa afat të caktuar në Irak.

“Forcat amerikane nuk do të kthehen në operacionet luftarake në Irak, por do të mbështesin irakianët në operacionet kundër terroristëve që kërcënojnë popullatën në Irak si dhe interesat amerikane”.

Presidenti Obama i bëri thirrje Kryeministrit Nuri al-Maliki të qeverisë me një program më gjithë-përfshirës në mënyrë që të shmangë rrezikun e luftës civile në vend. Presidenti Obama tha se nuk i takon Amerikës të vendosë cilët do të jenë udhëheqësit e Irakut.
XS
SM
MD
LG