Lidhje

Pres. Obama flet për një botë pa armë bërthamore


Presidenti i Shteteve të Bashkuara shpalosi vizionin e tij në një fjalim sot në portën historike të Brandenburgut në Berlin

Presidenti Barack Obama shpalosi vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore në fjalimin që mbajti sot në Portën historike të Brandenburgut në Berlin.

Presidenti Obama tha se do të përpiqet për pakësimin e armëve të dislokuara bërthamore me deri një të tretën dhe për ripërtëritjen e bisedimeve me Rusinë për t’ia lënë së kaluarës qëndrimet bërthamore të Luftës së Ftohtë.

Ai tha se shkurtimi i armëve bërthamore mund të arrihet ndërsa garantohet siguria e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre dhe ndërsa ruhen "mënyrat shkurajuese strategjike të fuqishme dhe të besueshme".

Propozimi do të thotë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të shkurtojnë mbushjet e armëve bërthamore strategjike me deri një të tretën poshtë nivelit që ata ranë dakord në bazë të traktatit të ri START. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2009, parashikon që të dy vendet ta pakësojnë arsenalin në 1,550 mbushje bërthamore strategjike të dislokuara deri në vitin 2018.

Pak para propozimit të zotit Obama, presidenti rus, Vladimir Putin, u citua të ketë thënë se "qeveria e tij nuk do të lejojë prishjen e sistemit të frenimit strategjik ose pakësimin e efektshmërisë të forcave bërthamore ruse".

Gjatë fjalimit të Berlinit sot, presidenti Obama përsëriti shprehjen "paqe me drejtësi", duke vlerësuar sistemin e sipërmarrjes së lirë përkundrejt planifikimit ekonomik nga lartë poshtë i praktikuar nga qeveria komuniste e ish Gjermanisë Lindore.

Zoti Obama paralajmëroi vendet perëndimore që të vazhdojnë të jenë të angazhuara në sfidat ndërkombëtare dhe të mos kalojnë në "vetëkënaqësi" pasi fituan Luftën e Ftohtë, madje, tha presidenti amerikan, këto vende duhet të përmbushin një numër sfidash, përfshirë ngrohjen globale, varfërinë dhe përhapjen e SIDA-s.

Presidenti Obama tha gjithashtu se do të dyfishojë përpjekjet e tij për të mbyllur burgun amerikan në Gjirin Guantanamo të Kubës.

Porta e Brandenburgut ka qënë vendi i dy fjalimeve të famshme nga ish presidentë amerikanë. Në vitin 1963, presidenti John F. Kennedy e shpalli veten qytetar të Berlinit të ndarë në fjalimin që mbajti aty dhe në vitin 1987, presidenti Ronald Reagan kërkoi që udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev të shëmbte Murin e Berlinit.

Kjo është vizita e parë e zotit Obama në Gjermani si president. Ai shkoi në Berlin gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, por kancelarja Merkel i mohoi atij lejen që ta mbante fjalimin tek Porta e Brandenburgut.
XS
SM
MD
LG