Lidhje

Obama në mbrojtje të ligjit për kujdes shëndetësor

  • Cindy Saine

Presidenti Barack Obama ishte dje në Boston të shtetit Masaçusets për të folur për programin për kujdesin shëndetësor, ndërkohë që shtohen kritikat lidhur me problemet në faqen elektronike të programit. Programi për kujdesin shëndetësor është shndërruar në një temë të nxehtë politike. Presidenti zgjodhi Bostonin për të theksuar argumentat e tij pro programit:

Kujdesi shëndetësor ishte një ndër temat kryesore në fushatën zgjedhore të vitit 2012, kur zoti Obama mundi rivalin e tij republikan, guvernatorin Mitt Romney.

Zoti Obama foli dje në të njëjtin vend ku në vitin 2006 zoti Romney bëri publik ligjin e shtetit Masaçusets që çdo person të kishte sigurime shëndetësore.

Zoti Obama tha se në atë kohë republikanët dhe demokratët në atë shtet u bashkuan për t’u ofruar të gjithëve në Masaçusets kujdes shëndetësor. Ai foli për suksesin e programit dhe u bëri thirrje guvernatorëve republikanë në të gjithë vendin të ndalin përpjekjet për të sabotuar programin e tij për kujdes shëndetësor.

"Nëse shpenzojnë po aq energji për të ndihmuar që ligji të funksionojë sa ç’shpenzojnë për ta penguar ligjin, amerikanët do të ishin më mirë”.

Po dje, Sekretarja për Shëndetësinë Kathleen Sebelius doli para një komisioni të Kongresit dhe për herë të parë kërkoi ndjesë për problemet irrituese që po pengojnë shumë amerikanë që përpiqen të blejnë sigurime shëndetësore përmes faqes elektronike:

"Amerikanët meritojnë më shumë. U kërkoj ndjesë. Jam përgjegjëse para jush për të ndrequr problemet. Jam e angazhuar për të rifituar besimin tuaj, duke ndrequr problemet e faqes”.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë, republikani Fred Upton, tha se para se faqja elektronike të hapej për aktivitet publik, Sekretarja Sebelius dhe kolegët e saj i siguruan ligjvënësit se programi ishte gati për aktivitet.

“Diçka ndodhi gjatë kësaj periudhe, ose zyrtarët nuk ishin në dieni sa probleme kishte sistemi, ose nuk e bënë të ditur. Për fat të keq, kanë kaluar pesë javë që kur u hap programi vazhdojmë të marrim lajme më të këqija përditë”.

Zonja Sebelius u zotua se faqja qeveritare do të jetë në funksionim të rregull brenda muajit nëntor dhe vuri në dukje se amerikanët kanë afat deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm për t’u regjistruar para se të ballafaqohen me gjoba në bazë të ligjit për kujdesin shëndetësor. Ajo nuk pranoi të specifikonte numrin e amerikanëve që janë regjistruar për sigurimet shëndetësore përmes faqes qeveritare.
XS
SM
MD
LG