Lidhje

Obama, zgjidhje të përkohëshme për ligjin shendetësor


Në përpjekje për të shmangur dëme më të mëdha politike nga problemet me zbatimin e programit për kujdes shëndetësor, Presidenti Barak Obama njoftoi dje se amerikanët do të kenë mundësi të mbajnë planet ekzistuese të sigurimeve për një vit.

Vendimi i Presidentit u bë i njohur ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për mosfunksionimin e faqes elektronike për programin shëndetësor si dhe mundësinë për të zgjedhur plane për sigurimet shëndetësore në përputhje me ligjin e ri.

Vetëm rreth 106,000 vetë janë regjistruar që nga 1 nëntori, një shifrë shumë më e ulët se parashikimet e administratës.

Zoti Obama e pranoi se situata është irrituese për amerikanët, duke pohuar se mund të ketë miliona vetë që kërcënohen të humbasin planet e sigurimeve që kanë blerë privatisht, pasi nuk përmbushin standardet e ligjit të ri.

"Mendoj se është plotësisht e përligjshme që këta individë të kërkojnë kredibilitet më të madh nga ligji për sigurime shëndetësore. Për këtë përgjegjësia bie mbi mua. Ne bëmë gabime në përgatitjet për të hapur për përdorim programin”.

Në përpjekje për të ndrequr problemet, administrata do të lejojë kompanitë e sigurimeve shëndetësore të lejojnë klientët e tyre të mbajnë për një vit planet ekzistuese, që ishin anuluar pasi hyri në fuqi ligji i ri.

Zoti Obama po ndeshet me ritmet më të ulëta të popullaritetit që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë dhe amerikanët po vënë në pikëpyetje sa e aftë është administrata aktuale për të përmbushur misionin e saj.

Një anketë e organizatës Gallup tregon se 55 për qind e të anketuarve janë kundër ligjit për sigurime shëndetësore. Anketa të mëparshme tregonin se amerikanët ishin të ndarë lidhur me ligjin dhe shumica anonte nga pikëpamjet negative ndaj këtij programi qeveritar.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se numri i ulët i regjistrimeve tregon se ligji ka dështuar dhe duhet braktisur.

"Kur është fjala tek ligji për kujdes shëndetësor, Shtëpia e Bardhë nuk gëzon kredibilitet. Le ta themi hapur, e vetmja mënyrë për të mbrojtur amerikanët është duke e braktisur këtë ligj një herë e mirë. Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndrequr”.

Republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kanë në plan të hedhin sot në votë një plan për zgjidhje. Kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi thotë se masa republikane do të kërcënonte ligjin për kujdes shëndetësor.

"Propozimi minon ligjin e administratës për kujdes shëndetësor”.

Presidenti Obama pohoi gjithashtu se problemet aktuale mund të dëmtojnë shanset e kandidatëve demokratë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Kongres:

"Nuk ka dyshim se paaftësia jonë për të realizuar me sukses prezantimin dhe funksionimin e programit për kujdes shëndetësor përbën një barrë për demokratët në zgjedhjet e ardhshme, pasi ata u ngritën në mbështetje të kësaj përpjekjeje”.

Presidenti tha se ndjehet personalisht përgjegjës për vështirësitë që do të hasin demokratët si rezultat i këtyre problemeve. Por ai tha se njerëzit nuk duhet të harrojnë faktin se para futjes në funksionim të ligjit të ri, sistemi amerikan i kujdesit shëndetësor nuk funksiononte aspak.

Ai kritikoi përsëri republikanët që nuk kanë ofruar një alternativë për sistemin e mëparshëm të sigurimeve shëndetësore apo për ligjin e Presidentit për kujdesin shëndetësor, i cili u hartua me shpresën se do të ofronte sigurime shëndetësore për afro 40 milionë amerikanë që nuk kishin sigurime.
XS
SM
MD
LG