Lidhje

Obama-Putin, ende mosmarrëveshje për Sirinë


Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë ende mosmarrëveshje lidhur me një sulm të mundshëm në Siri, edhe pasi e diskutuan çështjen gjatë takimeve të G-20ës në Rusi.

Në konferenca shtypi njëra pas tjetrës, zoti Obama dhe zoti Putin e karakterizuan takimin mes tyre si konstruktiv dhe miqësor. Por ishte e qartë se të dy udhëheqësit kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.

Zoti Putin u sugjeroi gazetarëve se rebelët në Siri ishin përgjegjës për përdorimin e armëve kimike. Ai tha se veprimi ushtarak kundër Sirisë do të ishte një akt që përbën shkelje të standarteve ndërkombëtare:

"Më lejoni t’u kujtoj se përdorimi i forcës kundër një shteti sovran është i mundur vetëm në se bëhet për vet-mbrojtje, dhe siç e dimë të gjithë Siria nuk po sulmon Shtetet e Bashkuara. Së dyti, sipas një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si një nga pjesëmarrësit në diskutimin tonë të djeshëm, ata që veprojnë ndryshe e vënë veten mbi ligjin,''- tha zoti Putin.

Nga ana e tij, presidenti Obama tha se është e mundur që pozicioni i zotit Putin për përdorimin e armëve kimike siriane mund të ndryshojë pas raportit të inspektorëve të OKB-së.

Por presidenti tha se i kishte thënë zotit Putin se nuk priste që të binin dakort për këtë çështje. Megjithatë, ai tha se ishte e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar të vepronte i bashkuar:

"Edhe në se Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera nuk bien dakort për çështje specifike, sesi të përgjigjen ndaj përdorimit të armëve kimike, mbetet e rëndësishme që të punojmë së bashku në përpjekje për të nxitur …. të gjitha palët në konflik ta zgjidhin ata,"- tha Presidenti Obama.

Zoti Obama po përpiqet të fitojë mbështetje ndërkombëtare për veprim ushtarak për të ndëshkuar qeverinë siriane për sulmin që vrau më shumë se 1400 vetë në gusht.

Presidenti tha se shumica e udhëheqësve botërorë që morrën pjesë në darkën e takimit të G-20ës dhe në diskutimet që vazhduan në orët e para të mëngjesit të sotëm, e pranuan konkluzionin e Shteteve të Bashkuara se qeveria siriane ishte përgjegjëse për sulmin. Ai tha se udhëheqësit ishin të bashkuar në qëndrimin e tyre se traktatet ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e armëve kimike nuk duhet të shkelen.

Megjithatë ai tha se fuqitë botërore janë të ndara për ndërmarrjen e një sulmi ushtarak pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG