Lidhje

Obama, Putin me pikëpamje të ndryshme për Sirinë


Të dy udhëheqësit janë dakord se dhuna duhet të ndalet dhe palët duhet të negociojnë një marrëveshje

Presidenti amerikan Barak Obama dhe homologu i tij rus thonë se kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Siri, por ata janë dakord se dhuna duhet të ndalet dhe të gjitha palët duhet të negociojnë një marrëveshje. Zoti Obama dhe presidenti rus Vladimir Putin diskutuan mbi situatën në Siri dje në takimin e grupit të tetë vendeve më të industrializuara, G8, në Irlandën e Veriut.

“Kemi pikëpamje të ndryshme lidhur me zgjidhjen e problemit në Siri, por kemi interesa të njejta sa i përket pakësimit të dhunës dhe sigurimit të armëve kimike në mënyrë që ato të mos përdoren dhe të mos përhapen”.

Presidenti Obama falenderoi presidentin rus për atë që ai e quajti një bisedë të dobishme.

Presidenti Putin ishte dakord se mendimet e tyre mbi konfliktin në Siri nuk përputhen.

“Natyrisht, mendimet tona nuk përputhen por ne synojmë ndaljen e dhunës në Siri, ndaljen e rritjes së numrit të viktimave dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore, duke përfshirë edhe sjelljen e të gjitha palëve në tavolinën e bisedimeve në Gjenevë. Ne ramë dakord t’i inkurajojmë palët që të marrin pjesë në negociata”.

Asnjeri prej tyre nuk përmendi nëse ata diskutuan planet amerikane për të furnizuar me armë rebelët sirianë të cilët po luftojnë kundër presidentit Bashar al-Asad.

Rusia i ka dërguar armë qeverisë siriane, duke thënë se ajo thjesht po respekton kontratat e nënshkruara më parë.
























XS
SM
MD
LG