Lidhje

Temat e takimit Obama-Putin


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Ukraina do të jetë në qendër të takimit të Presidentit Barack Obama me atë rus, Vladimir Putin të hënën në Nju Jork.

“Nuk parashikoj ndonjë armiqësi të hapur por mendoj se ka disa çështje të rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të diskutojnë dhe presidenti nuk do t’i shmanget shprehjes së shqetësimeve për qëndrimin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera në botë”, tha zëdhënësi Josh Earnest.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Obama do të theksojë në takimin me zotin Putin rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut që synon zbatimin e një armëpushimi në Ukrainë.

Para takimit të dy udhëheqësve, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter u takua dje me homologun e tij ukrainas, duke rikonfirmuar angazhimin amerikan ndaj Ukrainës.

“Sot ne patëm një takim produktiv dhe të bazuar në diskutimet e Brukselit. Gjetja e rrugëve për të ruajtur dhe forcuar këto angazhime, përfshirë vazhdimin e ndihmës për sigurinë për forcat e armatosura dhe rojën kufitare ukrainase. Raportet e fundit për pakësimin e dhunës në Ukrainë janë inkurajuese, por end vazhdojmë të shohim se Rusia dhe separatistët end nuk po e zbatojnë plotësisht marrëveshjen e Minskit”.

Shtetet e Bashkuara thonë se forcat separatiste në Ukrainën Lindore që marrin mbështetje të rëndësishme ushtarake nga Rusia, vazhdojnë të destabilizojnë Ukrainën, ndërsa sanksionet perëndimore kundër Moskës dobësojnë ekonominë Ruse.

Presidentët Obama dhe Putin pritet gjithashtu të diskutojnë praninë ushtarake ruse në Siri.

Rusia ka thënë se do që të shkatërrojë Shtetin Islamik dhe ekstremizmin, por planet e saj afatgjata për Sirinë janë ende të paqarta.

Kjo lëvizje është pjesë e planit të Putinit për të rritur ndikimin gjeopolitik të Rusisë, thotë Profesori i Institutit Kombëtar të Mbrojtjes, Peter Eltsov.

“Ai do që bota të përqendrohet tek roli i tij në Siri, lufta e tij ndaj ISIS-it dhe tek përpjekjet për të krijuar një koalicion të ri nën pretendimin se po lufton Shtetin Islamik dhe që lihet jashtë vëmendjes Ukraine.”

Shtetet e Bashkuara janë kundër mbështetjes së Rusisë për regjimin shtypës të Presidentit Bashar al-Assad.

"Presidenti Obama do ta bëjë të qartë edhe një herë se rritja e mbështetjes së Rusisë ndaj regjimit të Asadit, është një strategji e dështuar. Pasoja e veto do të ishte thellimi dhe zgjerimi i krizës në atë vend dhe nuk u shërben as interesave të popullit rus, as atyre të popullit amerikan."

Por Bashkimit Evropian, që po përballet me valën masive të refugjatëve nga rajoni, mund t’i interesojë përpjekja e Putinit, të paktën përkohësisht, thotë profesori Eltsov. Presidenti rus mund edhe të sigurojë disa lëshime nëse arrin të rimarrë një pjesë të territorit nga Shteti Islamik. Por në një këndvështrim afatgjatë, angazhimi i Rusisë do të dështojë thotë ai.

“Ai po e harron përvojën e Rusisë në Afganistan. Po harron se kur perandoritë zgjerohen së tepërmi, ato dështojnë prandaj në fund të fundit kjo fushatë mund ta fundosë atë”.

Presidenti Obama pritet të nxisë Rusinë që të bashkohet me përpjekjet e koalicionit për të luftuar Shtetin Islamik. Profesori Eltsov tha se tani për tani mund të jetë më mirë të lihet Putini të luftojë në Siri dhe të mendhet se si të parandalohet marrja nën kontroll e Ukrainës lindore nga ana e tij.

XS
SM
MD
LG