Lidhje

Përfundon pa përparim takimi në Shtëpinë e Bardhë


Në një takim në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë, Presidenti Obama dhe udhëheqësit e Kongresit nuk arritën të sheshojnë mospajtimet mes tyre dhe si rezultat mbyllja e pjesshme e qeverisë federale vazhdon.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dolën nga Shtëpia e Bardhë pas takimit një orësh me Presidentin dhe në bazë të deklaratave nuk ka lajme të mira.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner foli i pari:

“Në kohë të tilla, populli amerikan pret nga udhëheqësit e tij të bashkohen për të gjetur mënyra për të zgjidhur dallimet mes tyre. Presidenti ritheksoi përsëri se nuk do të negociojë”.

Zoti Boehner përsëriti ofertën e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të zhvilluar negociata për të zgjidhur mospajtimet.

Por ai nuk dha shenja përparimi gjatë asaj që e cilësoi si “bisedë e sjellshme dhe e mirë” me zotin Obama dhe udhëheqësit demokratë, për të cilët tha se duhet të dëgjojnë popullin amerikan dhe të zhvillojnë diskutime serioze.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Harry Reid, që dukej qartë se ishte i irrituar dhe i zhgënjyer, tha se zoti Boehner foli gjatë takimit vetëm për negociata për një financim të përkohëshëm të operacioneve qeveritare.
Zoti Reid tha se Presidenti Obama kundërshton prerazi çdo veprim që do të dëmtonte programin për kujdesin shëndetësor, të miratuar tre vjet më parë:

“Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Mund të bëjmë analiza sa të duan, por nuk ka ndodhur kurrë më parë që një parti politike të jetë e gatshme ta çojë vendin në prag të katastrofës financiare dhe thonë se nuk do të paguajmë faturat. Presidenti tha se kjo është e papranueshme për të”.

Zoti Reid fajësoi “anëtarët e Tea-Party-t” në Dhomën e Përfaqësuesve se janë të gatshëm ta çojnë vendin drejt bllokimit dhe drejt rrezikut për të mos paguar faturat. Kongresi duhet të rrisë nivelin e tavanit të borxhit brenda 17 tetorit.

Në një intervistë për kanalin CNBC Presidenti Obama pohoi se ndjehej i irrituar nga mbyllja e pjesshme e qeverisë, të cilën e cilësoi plotësisht të panevojshme:

“Kur ballafaqohesh me një situatë kur një fraksion është i gatshëm të lërë qeverinë të paaftë për të paguar detyrimet, atëherë je në problem. Nëse e bëjnë një gjë të tillë tani, do ta bëjnë edhe më vonë”.

Zoti Obama tha se është i hapur për negociata “civile dhe të arsyeshme” më vonë, lidhur me tema të gjera mbi buxhetin.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Obama ia bëri të qartë udhëheqësve të Kongresit se nuk do të negociojë për nevojën e rihapjes së qeverisë amerikane apo për rritjen e tavanit të borxhit. Deklarata thekson se zoti Obama shprehu kënaqësi që udhëheqësit ishin në gjendje të angazhoheshin në “diskutime të dobishme” dhe se ai mbetet “optimist se do të triumfojë logjika e shëndetshme”.
XS
SM
MD
LG