Lidhje

Presidenti Obama përballë Kongresit republikan


Kongresi i ri amerikan, tërësisht i udhëhequr nga republikanët, do të thotë fjalën e vet përsa i përket problemeve botërore dhe reagimit amerikan sapo të mblidhet javën që vjen. Siç na njeh materiali në vazhdim, konfliktet nga Ukraina e deri në Lindjen e Mesme janë në mendjet e ligjvënësve siç janë edhe nismat e rëndësishme ndërkombëtare të ndërmarra nga presidenti Barack Obama.

Negociatat ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit rifillojnë një javë pas hapjes së Kongresit të ri. Skeptikët, si senatori republikan Bob Corker, thonë se ligjvënësit do të shqyrtojnë sanksione më të forta ndaj Teheranit nëse negociatat dështojnë:

“Ligjvënësit janë të gatshëm që Kongresi të shqyrtojë çështje të ndryshme dhe po ashtu marrëveshjen me Iranin.”

Vëmendja e Kongresit ndaj ambicjeve bërthamore të Iranit nuk është diçka e re. Ajo që nuk parashikohej është se Kongresi do të përballet me surprizën diplomatike të presidentit Obama, hapjen me Kubën.

“Sot, Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë marrëdhëniet me popullin e Kubës.”

Dhënia fund e embargos ndaj Kubës kërkon një vendim nga Kongresi, diçka që mbështetet nga senatori demokrat Ben Cardin.

“Kongresi duhet të veprojë, ndërsa futemi në një kapitull të ri në marrëdhëniet me Kubën. Do të jetë një debat interesant.”

Senatori republikan Marco Rubio:

“Ky Kongres nuk do ta heqë embargon.”

Edhe senatori republikan Marco Rubio është i gatshëm për këtë debat.

“Shtepia e Bardhë ka pranuar gjithçka dhe ka marrë pak si shkëmbim. Nuk kanë marrë angazhim nga regjimi kuban për lirinë e shtypit, të shprehjes dhe të zgjedhjeve.”

Republikanët duan të shihen si konstruktivë, thotë analisti politik William Howell:

“Nga njëra anë, ata duan të theksojnë dështimin e administratës Obama dhe nga ana tjetër, duan të shihen si të përgjegjshëm, si parti e matur që mund të udhëheqë vendin.”

Kontrolli i Kongresit nga republikanët u jep atyre një megafon më të fuqishëm për të kritikuar trajtimin e krizave nga presidenti që nga Ukraina deri tek Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

“Veprimet prej tigri letre të vendit tonë për shumë çështje po na shkaktojnë dëme afatgjata", thotë republikani Corker.

Presidenti Obama nuk është imun as ndaj kritikave të Partisë Demokratike, sipas analistit Stuart Rothenberg:

“Presidenti mund të ketë po aq probleme nga të majtët demokratë në çështet ndërkombëtare sa edhe nga republikanët. Ka shumë demokratë që janë të shqetësuar për riangazhimin e trupave amerikane.”

Megjithë shqetësimet e Kongresit, presidenti duket i vendosur për të lënë vulën e tij mbi rolin e Amerikës në botë. Në një intervistë të kohëve të fundit, ai tha se besonte te diplomacia dhe dialogu.

XS
SM
MD
LG