Lidhje

Obama dhe republikanët përballë sfidës së buxhetit


Presidenti Barack Obama dhe republikanët e Kongresit janë në prag të një përplasjeje për buxhetin më 1 mars lidhur me shkurtimet automatike prej 85 miliardë dollarësh, që hyjnë në fuqi nëse ligjvënësit nuk gjejnë një rrugë tjetër për të ulur defiçitin federal. Shkurtimet automatike do të kishin pasoja si për shpenzimet tek punjësit civilë, ashtu edhe tek ushtria dhe rreziku i tyre e ka ashpërsuar luftën politike në Uashington.

Presidenti Obama paralajmëroi për pasojat e shkurtimeve në buxhet gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit.

“Këto shkurtime të menjëhershme, të thella dhe arbitrare mund të vënë në rrezik gatishmërinë tonë ushtarake”.

Në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama foli për këtë çështje duke bërë thirrje për kompromis.

“Këto shkurtime nuk janë të peshuara, nuk janë të drejta, do të rëndojnë ekonominë tonë dhe do të shtojnë qindra-mijëra amerikanë në radhët e të papunëve. Nuk po flasim në teori. Njerëzit do të humbasin punën”.

Por republikanët përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner nuk po lëkunden.

“Shkurtimet automatike do të hyjnë në fuqi nëse nuk ndërmerren reforma që na vënë në rrugën e balancimin e buxhetit gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm”.

Përkrahësit e lëvizjes Tea Party po ashtu duan që shkurtimet të hyjnë në fuqi. Mes tyre është edhe senatori republikan Rand Paul.

“Të dyja palët janë përgjegjëse për shpenzime të tepërta, për mbrojtjen e privilegjeve të tyre, për marrëveshje të fshehta ku të gjithë këtu fitojnë, por taksapaguesit humbin”.

Republikanët konservatorë po reagojnë në mënyrë sfiduese, thotë analisti Norm Ornstein.

“Ata thonë jemi gati të përballemi, le të hyjnë në fuqi shkurtimet dhe në thelb qëndrimi i tyre është se në këtë mënyrë do të ketë shkurtime të thella buxhetore që nuk do të arrinim t’i siguronim ndryshe. Le ta lejojmë të ndodhë, pavarësisht nga dhimbja që shkaktojnë”.

Por ai shton se republikanët po marrin një rrezik në sy.

“Presidenti është në avantazh në shumë drejtime. Mbështetja nga publiku është e lartë. Mbështetja për Kongresin është e ulët dhe republikanët në Kongres e kanë këtë mbështetje edhe më të ulët. Amerikanët nuk duan që këto gjëra të ndodhin”.

Shkurtimet do të shkaktonin pasoja për ndihmën ndërkombëtare humanitare dhe ushtarake dhe mund të shqetësonte aleatët, thotë Jim Arkedis në Institutin për Politikë Progresive.

“Mendoj se ekziston një shqetësim në shkallë ndërkombëtare. Sigurisht mes vendeve që presin të marrin ndihmë amerikane, qoftë ushtarake apo humanitare, apo ndihmë për zhvillimin e demokracisë, ka zhgënjim dhe nervozizëm”.

Presidenti Obama thotë se shpreson që Kongresi të veprojë për të shmangur shkurtimet para se të skadojë afati më 1 mars.
XS
SM
MD
LG