Lidhje

Letër me ricin drejtuar presidentit Obama


Shërbimi sekret amerikan njoftoi se u gjet një letër drejtuar presidentit Obama që përmbante substanca të dyshimta dhe pasi ju bë analiza, doli se përmbante helmin ricin.

Zyrtarët thanë se letra drejtuar Presidentit ka lidhje me një letër që ju dërgua dje senatorit republikan Roger Wicker, e cila gjithashtu u provua se përmbante helmin vdekjeprurës ricin.

Të dyja letrat mbajnë vulën e dërgimit nga qyteti Memfis i shtetit Tenesi. FBI-ja tha se në të dyja letrat ishte shkruar “Të shohësh një gabim dhe të mos e ekspozosh, do të thotë se bëhesh një partner i heshtur në vazhdimësinë e gabimit.” Të dyja letrat mbanin nënshkrimin “Unë jam KC dhe e miratoj këtë mesazh”, të njëjtat fjalë që përdoren nga kandidatët në fund të reklamave të tyre politike.

Senatorja Claire McCaskill tha se policia dyshon për një person, i cili “u shkruan shumë letra anëtarëve të Senatit”. Ajo i bëri komentet dje, pas një konference shtypi lidhur me shpërthimet me bombë në Boston. Autoritetet nuk pranuan të bënin komente lidhur me një person të dyshuar. FBI-ja tha se nuk ka arsye të mendohet që letrat e dyshuara të kenë lidhje me sulmet me bombë në Maratonën e Bostonit.

Policia e Kapitolit analizoi sot paketa të tjera të dyshimta në dy ndërtesa të Senatit, por nuk gjeti asgjë të rrezikshme.
XS
SM
MD
LG