Lidhje

Mitt Romney kujton amerikanët e vrarë në Libi


Kandidati republikan për president Mitt Romney bëri një tubim fushate sot ku kujtoi katër amerikanët e vrarë në sulmin ndaj konsullatës amerikane këtë javë në Libi, por nuk përsëriti kritikat e tij më të hershme ndaj trajtimit të kësaj çështjeje nga presidenti Obama.

Zoti Romney u tha përkrahësve të tij në Virxhinia se të gjithë amerikanët ishin të trishtuar ndërsa populli ndjen dhimbjen për vdekjen e ambasadorit amerikan J. Christopher Stevens dhe të tre zyrtarë të tjerë. Ata u vranë të martën, pasi militantë të dyshuar islamikë sulmuan konsullatën amerikane në Bengazi.

Protestuesit sulmuan gjithashtu ambasadën amerikane në Kajro dhe demonstrata shpërthyen në konsullatën amerikane në Libi. Demonstruesit shprehën zemërim mbi një video të realizuar në SHBA që muslimanët besojnë se vë në lojë Profetin Muhamed.

Zoti Romney nxorri një deklaratë të martën ku akuzonte presidentin se po kërkonte ndjesë për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Kajro, duke i cilësuar veprimet e zotit Obama si "turpshme."

Ai i referohej një deklarate të lëshuar nga ambasada në Kajro ku dënohej videoja. Deklarata u lëshua para se demonstruesit të sulmonin komplekset diplomatike, dhe para se të mësohej vrasja e ambasadorit amerikan në Libi.

Në një konferencë për shtyp dje, zoti Romney tha se " nuk është asnjëherë herët të dënosh sulmet ndaj amerikanëve dhe të mbrosh vlerat tona."
Por në një intervistë me CBS News, zoti Obama tha se reagimi i sfiduesit të tij zbulon "një tendencë për të qëlluar përpara se të marr shenjë."
XS
SM
MD
LG